Vukiçeviq: Superliga e Kosovës tejet interesante

Trajneri i Feronikelit, Dejan Vukiçeviq, në një intervistë të thënë për faqen zyrtare të klubit, ka folur për Superligën e Kosovës dhe nivelin e lojës së futbollit në Kosovë.

Vukiçeviq ka thënë se është i kënaqur me Feronikelin, përveç ndeshjes ndaj Ballkanit, të cilën e humbën në Suharekë.

“Përveç ndeshjes ndaj Ballkanit, me pjesën tjetër të ndeshjeve jam i kënaqur. Sidoqoftë do të ishte shumë më e lehtë nëse do të kisha qenë në klub të paktën 10 ditë para fillimit të kampionatit, pasi që ardhja e vonë nuk më dha mundësi që të njoftohem me ekipin tim”, tha fillimisht tekniku malazez.

Ai ka thënë se është njohur në shpejtësi me kualitetin e futbollistëve të Feronikelit.

“Në shpejtësi, përmes stërvitjeve dhe ndeshjeve, jam njoftuar me kualitetin e futbollistëve, por ndeshjet që klubi luajti në kuadër të garave evropiane, na pamundësuan që të stërvitim intensivisht, pasi që ekipi ka qenë i lodhur qysh para fillimit të sezonit”, theksoi ai.

Trajneri nga Mali i Zi, e ka komentuar edhe Superligën e Kosovës dhe kualitetin e ekipeve të saj, duke thënë se është duke u zhvilluar një sezon interesant, ai gjithashtu parashikon edhe një sezon më interesant në vitin tjetër.

“Liga është e barabartë, me largimin e katër ekipeve, vitin tjetër do të jetë edhe më interesant dhe do të jetë shumë e vështirë të planifikohen pikët, pasi që favoritët do ta kenë tejet të vështirë të triumfojnë. Aktualisht mund të them që janë 5-6 klube më të mira se tjerat, mendoj dhe pres një kampionat tejet interesant”, tha Vukiçeviq.