Volejboll: Kosova e pëson humbjen e tretë në kualifikimet për “EuroVolley”

Finlanda ia ka shkaktuar Kombëtares së Kosovës A në volejboll në kategorinë e vajzave humbjen e tretë, duke i mposhtur 3:0 me sete.

Në një paraqitje të zbehtë të kombëtares sonë dhe përballë një kundërshtari jashtëzakonisht cilësor, “Dardanet” kanë patur ngecje të mëdha në secilin prej setave.

Finlandezet e fituan setin e parë 25:15.

Kosova e nisi ndeshjen mjaft mirë, duke avansuar 7:2, për ta detyruar trajnerin e finlandezeve të reagonte menjëherë më time-outin e parë.

Kjo edhe u shërbeu skandinaveve, të cilat hynë në një seri të mirë duke barazuar në 7:7, e pastaj për ta marrë epërsinë për herë të parë në ndeshje, te rezultati 8:7.

Seria prej 8:0 vazhdoi duke i mundësuar Finlandës shkëputje në 10:7.

Me Time-Outin e dytë të thirrur në një kohë të shkurtër, Lorik Ilazi arriti për një kohë të ndërprejë këtë ritëm të mirë të kundërshtareve, duke u afruar në 9:12.

Finlanda e fiton setin e parë 25:15.

Në periudhën e dytë, Kosova e regjistron paraqitjen më të dobët në një set, gjatë këtyre kualifikimeve, duke e humbur setin e dytë 25 me 10.

Në setin e dytë, Finlanda e nisi shumë më mirë sesa të parin.

Finlandezet avancuan në fillim 7:1 pas gabimeve të njëpasnjëshme të ekipit kosovar, e kështu vazhduan edhe te 10:3, kur Lorik Ilazi kërkon ndërprerjen e parë.

Asgjë nuk ndryshoi as në vijim, kur Finlanda e thellon epërsinë në 13:3, e më vonë edhe 18:5

Për herë të parë në këtë kampanjë të kualifikimeve Ilazi, në fund të setit e inkuadroi edhe Lorina Mehmetin, që debuton në fanelën e Kombëtares.

Ky ishte seti më i dobët i Kosovës në këto kualifikime nga tri ndeshjet e zhvilluara.

Në periudhën e tretë, Finlanda e vazhdoi ritmin e dy periudhave paraprake dhe nuk lejoi befasi.

Ato prape e hapin setin me epërsi të hershme prej 9:2, e pastaj edhe në 15:7.

Kosova nuk arriti ta rrzikojë në asnjë moment fitoren e sigurtë të “skandinaveve”, të cilat triumfojnë 3:0.

Finlandezet synojnë të kualifikohen, të paktën nga pozita e dytë, edhepse kampanja e kualifikimeve vazhdon me fazën e dytë.

Megjithatë, secila prej kombëtareve do të ketë edhe tri ndeshje, në fazën e dytë të kualifikimeve që zhvillohet na 13-15 Maj 2021, në Nitra të Sllovakisë.