Vojvoda: I lus tifozët që t’i rrinë prapa ekipit

Mbrojtësi i djathtë i Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka folur në konferencë për media para ndeshjes ndaj Greqisë.

Greqi – Kosovë, luhet të mërkurën në kuadër të Grupit 3, të Ligës C, në Ligen e Kombeve.

Mbrojtësi i Torinos, ka thënë se edhe në ndeshjen ndaj Greqisë do ta japin 100 për qindëshin.

“Pandemia (ka ndikuar) dhe po luajmë pa shikues, dhe e keni mendimin se nuk po e luajmë 100 për qind. Në stadium i kemi pas tifozët dhe na kanë shtyrë, edhe tash e japim 100 për qind. Edhe këtë ndeshje do të japim 100 për qindëshin”, ka thënë Vojvoda.

Vojvoda i ka bërë lutje tifozëve të Kosovës që t’i rrinë prapa ekipit.

“Pavarësisht lojërave të mira që kemi pas, nuk e kemi nënçmuar askënd. Shpresoj se kemi me iu pru punën sa më ngushtë (Greqisë). Më shumë se lojtarët besoj se kurrkush nuk do që të fitojë, që të gjithë luajnë për fitore. Kemi ardhur këtu me e fituar lojën. E kemi një fat më të keq se që e kemi nisur. Duhet me e ditë se është pandemia dhe ka shumë faktorë që kanë ndikuar. I lus tifozët që t’i rrinë prapa ekipit”, ka thënë Vojvoda.