Afërdita Fazlija - Foto: KALLXO.com

VIDEO - Trajnerja e vashave të Kosovës në futboll pret kualifikimet për kampionatin europian

Trajnerja e Kombëtares së Kosovës në futboll në kategorinë e vajzave, Afërdita Fazlija, thotë se vashat e udhëhequra nga ajo janë të gatshme për fazën kualifikuese për Europianin “Anglia 2021”.

Fazlija, në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar për pritjet e Kosovës, e cila do të marrë pjesë për herë të parë një fazë të kualifikimeve për Europian në Grupin A dhe si i sheh kundërshtaret e Kosovës në këtë grup.

Ajo po ashtu ka treguar për reagimet në momentin e tërheqjes së shortit kur Kosovën ka rënë në një grup me Rusinë, shtet ky i cili nuk e ka njohur ende shtetësinë e Kosovës. Fazlija gjithashtu ka treguar se a do ta zhvillojë lojën në Prishtinë ndaj Rusisë dhe a do të pranojnë të luajnë pa simbole shtetërore.

“Asnjëherë Kosova nuk do të pranon të luaj pa simbole të Kosovës edhe pse këto janë çështje e cila nuk mund t’i përcakton një selektore, megjithatë në asnjë rrethanë Kosova nuk do të zhvillon ndeshje pa simbole të shtetit është shprehur selektorja e Kosovës e bindur.

KALLXO.com: Më 21 shkurt u bë tërheqja e shortit për Kampionatin Europian “Anglia 2021” në konkurrencën e vajzave. Jeni në Grupin A, me kombëtare si Holanda, Rusia, Sllovenia, Turqia e Estonia. Si cilësoni shortin e këtij grupi?

Afërdita Fazlija: Po nga vet fakti që marrim për herë të parë në kualifikimet për Kampionatin Europian të jep me kuptu që ne startin e kemi nga kombëtare e cila ende nuk ka pikë dhe realisht çdo shortit për ne ka qenë i vështirë. Mirëpo ndoshta e kemi pasur fatin që kemi kundërshtar, sidomos duke filluar nga tre kundërshtarët e parë, duke filluar prej Holandës, ku dihet që është kampion europian së fundmi është edhe nënkampion, megjithatë mendoj që është një short i vështirë.

KALLXO.com: Cilat nga këto pesë skuadra në grup i shihni si të mposhtshme nga ana e juaj dhe si e cilësoni pozitën e Kosovës në këtë grup?

Afërdita Fazilja: Realisht diferencën e grupit e bën Holanda. Ndërsa kombëtaret e tjera janë kombëtare që kanë një traditë në futboll kanë një rangim të mirë sa i përket UEFA-s. Megjithatë ne të gjitha ndeshjeve, pa përjashtim edhe Holandës,  do t’u qasemi me seriozitetin më të madh dhe për asnjë moment nuk do të ndihemi indiferentë pavarësisht që marrim pjesë për herë të parë në këto kualifikime.

KALLXO.com: Kosova do të përballet me kombëtare të ranguara lartë sikurse Holanda që zë vendin e tretë, Rusia në vendin e 25, dhe Sllovenia në vendin e 51. Turqia është në vendin e 62, ndërsa Estonia në vendin e 99. Në këtë grup, Kosova rangohet në vendin e 126. Cilat janë shanset reale të Kosovës?

Afërdita Fazlija: Nëse e bëjmë një krahasim për dy vitet e fundit 2017 -2019, Kosova ka bërë një ngritje shumë të madhe sa i përket edhe numrit të lojtareve, por edhe kualitetit të cilin e kemi angazhu për këto dy vite. Mund të themi që rangimi me përjashtim të dhjetëshit të parë nuk e bën dallimin tepër të madh në futbollin e femrave, pavarësisht që ne nuk kemi pasur mundësi të jemi pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s deri në vitin 2016. Unë mendoj që lojtarët të cilat i kemi grumbulluar, shpresoj që, po e them edhe njëherë ndoshta Holanda është ajo që e bën diferencën e madhe në grup, ndërsa ndaj ekipeve tjera ne do të qasemi me seriozitetin më të madh që ta japim më të mirën prej vetes. Mendoj që në këto kualifikime, qëllimi edhe synimi i Kombëtares së Kosovës është mbledhja e sa më shumë pikëve.

KALLXO.com: Kualifikimet i nisni si vendas ndaj skuadrës së Turqisë të premten me 30 gusht, në stadiumin “Fadil Vokrri”. Cilat janë gjasat e Kosovës për këtë ndeshje?

Afërdita Fazlija: Realisht ne në vitin 2019 jemi përgatitur aq sa na kanë lënë mundësitë për arsye se ka qenë një kohë e shkurtë, janë termine të caktuara të UEFA-s për të cilat ne nuk kemi mundësi grumbullimi tjetër. I kemi shfrytëzuar mirë katër ndeshje miqësore, dy me Maqedoninë dhe dy me Bullgarinë. Megjithatë unë shpresoj që në lojën me Turqinë të kemi një paraqitje tepër të mirë, paraqitje për të cilën të paktën kemi punuar këtë vitin e fundit, dhe shpresoj që nëse lojtarët do të angazhohen maksimalisht, nëse nuk do të kemi ndonjë lëndim eventual gjatë këtyre tri ditëve deri në ndeshje unë do të pres një rezultat pozitiv.

Afërdita Fazlija – Foto: KALLXO.com

KALLXO.com: Katër ditë më vonë luani ndaj Sllovenisë si mysafirë, për çfarë rezultati do të udhëtoni për këtë ndeshje?

Afërdita Fazlija:  Ne mendojmë që në ndeshjen e parë do të nxjerrim një rezultat pozitiv, nuk jemi indiferentë ndaj Sllovenisë që do të luajmë jashtë, jo vetëm që të themi vetëm në atë zhargonin që nuk jemi indefirentë, mirëpo e kemi një grup shumë kompakt. E kemi komplet ekipin me lojtare të cilat mund të zëvendësohen, kemi një konkurrencë të shëndoshë dhe të mirë në ekip. Neve na mungon përvoja në përgjithësi e thash edhe në fillim që është hera e parë që jemi për kualifikime për kampionat europian, mirëpo megjithatë ne do të përgatitemi gjatë tërë kohës edhe në aspektin psikologjik edhe në aspektin taktik që të synojmë që të nxjerrim një rezultat pozitiv.

KALLXO.com: Kosova është në grup me Kombëtare si Rusia, shtet i cili ende nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës. A do të zhvillohen ndeshjet në Rusi e Kosovë, apo diku tjetër, a është biseduar ky problem nga UEFA, pasi më 4 tetor luani si vendas ndaj Rusisë?

Afërdita Fazlija: Kam marrë pjesë në tërheqjen e shortit së bashku me ndihmës trajnerin Veton Çitaku dhe para hedhjes së shortit është diskutuar për kombëtaret me të cilat nuk ka qenë mirë që të takohemi. Realisht ka qenë vendim i UEFA-s që ne mos të jemi në një grup me Serbinë dhe Bosnjën, ndërsa nuk ka pasur ndonjë telashe tjetër sa i përket kombëtareve tjera. Kështu që ne më 4 tetor do ta zhvillojmë ndeshjen në Prishtinë, gjithsesi edhe ndeshjen e kthimit në qershor do ta zhvillojmë në Rusi.

KALLXO.com: A do të pranonit të luani në vend neutral nëse kjo kërkohet nga Rusi. Dhe a do të pranonit të luani pa simbole shtetërore?

Afërdita Fazlija: Me siguri që kjo çështje nuk besoj që do të ndodh, për arsye që nuk kemi pasur reagim edhe në tërheqjen e shortit. Asnjëherë Kosova nuk do të pranon të luajë pa simbole të Kosovës edhe pse këto janë çështje e cila nuk mund t’i përcakton një selektore, megjithatë në asnjë rrethanë Kosova nuk do të zhvillojë ndeshje pa simbole të shtetit.  Nëse kjo çështje mund të diskutohet është temë e një dimensioni tjetër për të cilin unë nuk mund të prononcohem, unë mund të prononcohem që vetëm në atë çështje që Kosova do të luajë me simbole të shtetit.

KALLXO.com: Kur jemi te skuadra, a janë futbollistet në formë optimale dhe a jeni e kënaqur me fondin e lojtarëve të cilat i keni përzgjedhur?

Afërdita Fazlija: Realisht futbolli i femrave nuk jep shumë mundësi që të kemi një numër të konsiderueshëm të lojtareve për arsye se nuk kemi edhe shumë klube, jemi një sport i ri, ku tashmë po e mbushim një dekadë të riaktivizimit apo themelimit të futbollit të femrave të pasluftës. Kemi një gjeneratë të re të vajzave të cilat luajnë jashtë Kosovës, unë kam bërë një kombinim 50 me 50 %, me vajzat të cilat luajnë në Kosovë dhe vajzat të cilat janë jashtë Kosovës. Kryesisht janë lojtare të reja të cilat janë të moshës 18-20 vjeçare. Megjithatë unë mendoj, jemi munduar jo vetëm unë, por si ekip edhe me trajnerë që udhëheqin nëpër klube me i zgjedh ma të mirat, prej atyre që kemi pasur mundësi t’i zgjedhim.

KALLXO.com: A po keni probleme me përzgjedhjen e lojtarëve të cilat luajnë jashtë vendit, apo e kanë problem ato ta zgjedhin kombëtaren tonë?

Afërdita Fazlija: Deri tash nuk kemi pasur ndonjë refuzim të lojtarëve të cilave iu kemi bërë ftesa. Është reale që kemi shpreh një koncentrim pak më të madh sa i përket futbollit gjerman, kryesisht Bundesligës. Kemi arritur që në kohën e fundit në këtë vit t’i kemi 2-3 lojtare, një e U20 të Gjermanisë, ndërsa një 17 vjeçare ka qenë në grumbullimin e gjerë në përfaqësuesen e Gjermanisë. Vendimin e Erleta Mehmetit që ta lë përfaqësuesen e Gjermanisë dhe të jetë pjesë e Kosovës e shoh si një hap më tepër se futboll kur dihet se futbolli i femrave realisht e ka një karrierë më të shkurtë të zhvillimit dhe ekspazioni i një lojtare mund të vjen nga mosha 20-21 vjeçare edhe ajo ka vendosur të vjen për Kosovën. Normal që nuk i kemi mundësitë që me shtetet e tjera të kemi barazim mes futbollit të meshkujve dhe futbollit të femrave, mirëpo seleksionimin jemi fokusuar që ta bëjmë përmes ligave dhe klubeve që garojnë, mirëpo duke i respektuar edhe pozicionet që ne më tepër kemi pasur nevojë, duke llogaritur që u kemi dhënë hapësirë edhe lojtarëve të cilat i kemi më tepër së dy vite pjesë të Kosovës.