Foto: KALLXO.com

VIDEO: Gjilani intensifikon stërvitjet, synon daljen në Europë

Skuadra e Gjilanit e ka mbyllur sezonin vjeshtor në vendin e dytë me 32 pikë, dy më pak se Ballkani që është në krye të Superligës së Kosovës.

Përveç garës për të qenë i pari në elitën e futbollit kosovar, klubi nga qyteti me të njëjtin emër është në rrugë të mbarë edhe për Kupën e Kosovës. Në çerekfinale Gjilani do të përballet me Drenicën.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gentian Mezani ka nisur stërvitjet që tetë ditë. Ato i zhvillon dy herë në ditë.

Gentian Mezani tregon për KALLXO.com se çka është e rëndësishme për të në këtë periudhë të stërvitjeve.

“Ne jemi sot në ditën e tetë të stërvitjes dhe deri tashti unë mendoj se jemi mirë. Jemi stërvitur pothuajse dy herë në ditë. Dhe e rëndësishme deri në këtë periudhë është se nuk kemi lëndime deri tani. Shpresoj që të vazhdojmë kështu, sepse gjatë kësaj periudhe kjo është rëndësia më e madhe që skuadra t’i marri ngarkesat e duhura dhe të ketë sa më pak dëmtime”, thotë trajneri nga Shqipëria.

Gentian Mezani – Foto: KALLXO.com

Klubi Gjilani fazën e dytë përgatitore do ta zhvillojë në Turqi, ku do t’i zhvillojë tri ndeshje miqësore.

“Sigurisht kemi planifikuar tre ndeshje aty. Do të qëndrojmë 10 ditë në Turqi, dhe do të vazhdojmë me dy seanca edhe aty. Edhe te kjo pjesë është për t’u vlerësuar fakti se shkojmë në një vend që na krijon kushtet për t’u stërvitur jashtëzakonisht mirë dhe ndeshjet që do t’i zhvillojmë aty do të na shërbejnë për të arritur qëllimin që duam. Atje jemi në gjendjen e duhur optimale dhe për të qenë gati për fillimin e kampionatit”, ka treguar Mezani.

Trajneri është i kënaqur me transferimin e sulmuesve Darko Nikaç dhe Sebino Plaku.

 

Ai zbulon për KALLXO.com se së shpejti do të transferojnë edhe një lojtar tjetër.

“Ne kemi marrë dy lojtarë me eksperiencë, dy lojtarë që shpresoj të na ndihmojnë gjatë kësaj periudhe. Janë dy lojtarë që kanë luajtur sepse kjo është shumë e rëndësishme, në këtë fazë është e vështirë të gjenden lojtarë që kanë luajtur, zakonisht vijnë lojtarë që nuk kanë luajtur, që janë të pakënaqur ose nga dëmtimet. Ne kemi marrë dy lojtarë që kanë luajtur dhe shpresoj që të na ndihmojnë në pjesën e mbetur të kampionatit. Sigurisht që kemi nevojë edhe për një lojtar. Do të arrihet një marrëveshje gjatë këtyre 2-3 ditëve”, zbulon trajneri i “Skifterave”.

Gentian Mezani tregon se Gjilani për synim e ka daljen në garat europiane.

“Ne shpresojmë që t’i arrijmë objektivat që kemi. Objektivi i ynë është kupat e Europës. Kjo është primare për neve. Do të shikojmë, do t’i marrim ndeshjet një nga një, do të mundohemi të bëjmë sa më mirë, më mirë sesa kemi bërë gjatë kësaj periudhe. Kemi analizuar gabimet që kemi bërë gjatë fazës dhe gjysmëfazës së dytë dhe shpresojmë që t’i minimizojmë këto gabime. Nuk po themi se do t’i eliminojmë, por t’i minimizojmë sa të jetë e mundur për të arritur objektivin final. Shpresoj që me grupin që kemi, me cilësitë dhe kualitetin që kemi në skuadër, me mbështetjën që kemi nga presidenti unë mendoj dhe shpresoj shumë që t’ia arrijmë këtij objektivi final për t’i gëzuar sadopak vetën tonë, presidentin dhe tifozërinë”, tregon ai.

Ylber Kastrati – Foto: KALLXO.com

Ndërsa, qendërmbrojtësi dhe kapiteni i skuadrës, Ylber Kastrati, ka thënë se përgatitjet e skuadrës janë duke shkuar mirë edhe pse po ushtrojnë në kushte klimatike jo të mira.

“Kemi zhvilluar stërvitje ndoshta një javë, dhjetë ditë. Ka edhe prurje të reja, por kryesisht jemi baza e ekipes së kaluar. Përgatitjet po shkojnë mirë. Është pak ftohtë, edhe pse nuk ka borë. Ndoshta bora na kish mundësu që aktiviteti me qenë ma atraktiv, është ftoftë, por po e përballojmë se është fazë goxha e vështirë, kampionati është i gjatë dhe duhet të përgatitemi për kampionat”, thotë Ylber Kastrati për KALLXO.com.

Edison Kqiku – Foto: KALLXO.com

Kurse lojtari i kombëtares së Kosovës, Edison Kqiku, është optimist se Gjilani ka kapacatitet të fitojë Superligën dhe Kupën e Kosovës.

“Ia kemi filluar stërvitjeve që disa javë, përgatitjet po shkojnë shumë mirë. Tashti është një kohë e vështirë se përgatitjet shkojnë me një ritëm më të lartë, për me u bo gati për sezonin pranveror, por gjithçka është duke shkuar mirë. Mendoj se Gjilani ka kapacitet ta fitojë edhe Kupën edhe Ligën e Kosovës”, ka thënë Edison Kqiku.