VAR vjen edhe në Kosovë

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se sistemi VAR shumë shpejtë do të fillojë të testohet edhe në Kosovë.

Sipas këtij njoftimi, gjatë punimeve të Top Executive Programme të UEFA-s, që po mbahet në Bukuresht të Rumanisë, FFK-ja ka marrë programin për VAR, i cili fillimisht do të testohet në ndeshjet e Kombëtares së Kosovës që do t’i luajë si vendase. Kurse në të ardhmen parashikohet aplikimi i kësaj teknologjie edhe në kampionatin vendor.

Gjithashtu, Federata e Futbollit të Danimarkës, ka marrë si mision që ta ndihmojë FFK-në në aplikimin e këtij sistemi dhe në rastet tjera kur ka nevojë.

“Me dëshirën që Kosova  të vazhdojë këtë organizim të mirë dhe transparencë të FFK-së, por edhe me rezultate të mira të ekipeve kombëtare, shpreh të gjithë simpatinë time për presidentin Ademi dhe ekipin kombëtar si dhe gjithë popullin futbolldashës të Kosovës. Për këtë arsye kemi zgjedhur Kosovën që ta përkrahim në segmentet ku ajo ka nevojë”, citohet të ketë thënë Jesper Moller, president i Federatës së Futbollit të Danimarkës.

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, është në Bukuresht, ku po merr pjesë në punimet e Top Executive Programme të UEFA-s, ku ndërkohë është takuar edhe me zyrtarë të tjerë të UEFA-s dhe është diskutuar për iniciativat në futboll, avancimin e futbollit të femrave dhe promovimin e futbollit tek kategoritë e reja.