VAR-i do të përdoret në ndeshjen Maqedoni e Veriut – Kosovë

Sistemi i video- asistimit për gjyqtarë (VAR), do të përdoret për ndeshjen gjysmëfinale të play-offit, për kualifikimin në “Euro 2020”, në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut, gjatë ditës së sotme ka njoftuar se ndeshja ndaj Kosovës, më 8 tetor e cila luhet në stadiumin “Todor Proeski”, në Shkup, do të përdoret sistemi i VAR-it.

Vendimi për përdorimin e sistemit VAR është marrë pas kërkesës së UEFA-s.

Konfederata Europiane ka kërkuar asistentë për gjyqtarët në këtë ndeshje të rëndësishme të cialt përcaktojnë ekipet pjesmarrëse për kampionatin europian “Euro 2020”, që do të mbahet në qershor të vitit 2020.

 

“Përfaqësuesja A e Maqedonisë më 8 tetor në orën 20:45 përballet me Kosovën në arenën nacionale ‘Todor Proeski’ në Shkup, në ndeshjen e gjysmëfinales së Ligë së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian. Në një prej ndeshjeve më të rëndësishme për përfaqësuesen e vendit, në arenën nacionale do të përdoret edhe sistemi VAR, video-teknologjia për ndihmë për vendimet e arbitrave”, thuhet në njoftimin e federatës së Maqedonisë së Veriut.

FFM ka konfirmuar se njëherë duhet të bëhet testimi në mënyrë që ta marrin miratimin për shfrytëzimin e sistemit VAR.

“Për shfrytëzimin e sistemit VAR në një stadium të caktuar nevojitet të bëhet testimi për të konfirmuar se teknikisht mund të shfrytëzohet video-teknologjia. Miratimin për shfrytëzimin e sistemit VAR e sjell FIFA, ndërsa gjithë kjo është e lidhur me Rregulloren e lojës së futbollit”, ka njoftuar FFM-ja.

Sistemi VAR do të testohet një ditë para ndeshjes Maqedoni e Veriut – Kosovë.

“Në arenën nacionale ‘Todor Proeski’ do të kryhet testimi për shfrytëzimin e teknologjisë VAR një ditë para ndeshjes me Kosovën pas një mbledhje paraprake në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, përgjegjësit për sistemin VAR për ndeshjen Maqedoni – Kosovë dhe përfaqësues të firmës ‘HAËKEYE’ e cila është e zgjedhur nga UEFA si kompani zyrtare për implementimin e sistemit VAR në garat nën organizim të UEFA-s”, ka vazhduar njoftimi i FFM-së.

Dy orë para fillimit të ndeshjes do të bëhet testimi final i sistemit VAR, ka njoftuar Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

“Ditën e ndeshjes do të bëhet testimi për sinkronizim (pajisjet në stadium me makinën VAR), ndërsa testimi i fundit do të bëhet dy orë para fillimit të ndeshjes. Në rast të problemeve teknike në implementimin e sistemit VAR gjatë ndeshjes, atëherë video asistenca në marrjen e vendimeve të arbitrave nuk do të shfrytëzohet”, thuehet në njoftimin e FFM-ës.

 

 

Fituesi i kësaj ndeshje do të luajë në udhëtim me fituesin e gjysmëfinales tjetër të play-offit të Ligës D të Ligës së Kombeve, mes Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

Finalja e play-off-it të Ligës D të Ligës së Kombeve do të zhvillohet më 14 nëntor.