Valverde: Reali na bëri lojën shumë të vështirë

El Clasico, mbrëmë ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit, përfundoi pa fitues me rezultat 0-0.

Reali i drejtuar nga Zinedin Zidane, ia vështirësoi punët Barcelonës në Camp Nou, duke zhvilluar një lojë të mirë e me shumë raste.

Pas ndeshjes, trajneri i blaugranëve, Ernesto Valverde, e ka komentuar takimin e mbrëmshëm.

Ai ka thënë se të dy ekipet kanë luftuar shumë, por i humben duelët në ajër me lojtarët e Realit.

“Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, në të cilën ka pasur faza të mira për të dy ekipet. Ata na shtynë shumë lart dhe fituan shumë topa. Aty vuajtëm. Ka pasur shumë tension dhe e prisnim këtë. Ndonjëherë ne kemi pasur sukses dhe ndonjëherë jo në zbatimin e planeve tona për këtë ndeshje”, deklaroi fillimisht Valverde.

Valverde tregoi arsyen se përse nuk e inkuadroi në lojë Sergio Busquetsin.

“Zëvendësimi i Busquets? Ka pasur ethe para ndeshjes dhe ai nuk ka marrë pjesë në stërvitje. Në fund, vendosa unë që ai të mos luante. U mërzit pak”, ka thënë Valverde.

Trajneri spanjoll tha se donin ta fitonin El Clasicon, por Reali atyre ia bëri punën e vështirë.

 

Barazimi? Do të donim të fitonim, sepse kishim faktorin fushë. Ne ishim pak më të detyruar se ata të fitonin. Ata na e bënë lojën shumë të vështirë. Klasifikimi mbetet i njëjtë, në fund të fundit, Madridi është përforcuar. Të gjithë e shohin lojën nga këndvështrimi i tyre”, përfundoi Valverde.