Foto: Valon Berisha/Facebook

Valon Berisha flet për ndihmën e Anglisë për çlirimin e Kosovës dhe përballjen me të në futboll

Futbollisti i kombëtares së Kosovës, Valon Berisha, para ndeshjes me Anglinë, ka thënë se Anglia është njëri prej vendeve që e ka ndihmuar Kosovën në luftën ndaj Serbisë dhe se gjithmonë do të ketë respekt për të.

Por Berisha është shprehur se sonte në stadiumin “St. Mary” në Southampton në Angli do t’u tregojnë se kush janë bërë nga përkrahja e tyre.

“Anglinë do ta respektojmë gjatë gjithë jetës, por sonte do u tregojmë se çfarë kemi mundur të bëjmë dhe se kush jemi bërë nga përkrahja e tyre”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Berisha ka shtuar se do të jenë miq me Anglinë pa marrë parasysh se kush fiton sonte në fushën e gjelbër.

Në profilin e tij në Facebook ai ka postuar një fotografi të futbollistëve në vitet e 90-ta të cilët pas ndeshjes kanë hyrë në lum për t’u pastruar nga balta.

“Fotoja e parë flet shumë dhe tregon se ku kemi qenë dhe asnjeherë nuk do ta harrojmë të kaluarën pasi duke shikuar nga e kaluara, frymëzohemi për t’i arritur sukseset në të ardhmen”, ka shkruar Berisha.

Berisha ka deklaruar se Kosova asnjëherë nuk i harron ata që e kanë ndihmuar.

“Kosova është një vend i vogël, por ka njerëz me zemër të madhe dhe asnjëherë nuk i harron ata që na ndihmuan të jemi këtu”, ka përfunduar Berisha.

Ndeshja me Anglinë do të zhvillohet sonte me fillim nga ora 20:45.