Vakia kosovare: Valmir Azemi prezantohet te Drita, Vushtrria thotë se ai është lojtar i saj edhe dy vite

Gjatë ditës së sotme kampionia e Kosovës, Drita e ka prezantuar mesfushorin Valmir Azemin si transfer të ri nga skuadra e Vushtrrisë.

“Valmiri si lojtar i dalluar në mesfushë, ka bindur me paraqitjet te Vushtrria që ta ofrojmë në ekip. Do të jetë forcë shtesë në grupin tonë. Valmiri tashmë është bashkuar me ekipin dhe po vazhdon përgatitjet për sezonin e ri”, ka njoftuar Drita gjatë ditës së sotme.

Por, për transferimin e Valmir Azemit ka reaguar Vushtrria, duke thënë se ai ka kontratë me klubin edhe dy vite.

Vushtrria thotë se Drita nuk e ka kontaktuar klubin për transferimin e mesfushorit Azemi dhe për këtë gjë do t’i drejtohen FFK-së.

“REAGIM Klubi i Vushtrrisë nuk ka bërë ndonjë marrëveshje me klubin e Dritës, për futbollistin Valimir Azemi. Mesfushori Azemi ka kontratë tre vjeçare (edhe dy të mbetura) me klubin, e cila është valide. Azemi pak minuta më parë është prezantuar edhe zyrtarisht nga Drita, por ne si klub nuk kemi pranuar ndonjë ofertë apo thirrje telefonike për kartonin e Azemit. Ne si klub do t’i marrim hapat konkret rreth kësaj çështje, duke iu drejtuar Federatës së Futbollit të Kosovës”, thuhet në reagimin e Vushtrrisë.