UEFA fton Eriksenin dhe mjekët që ia shpëtuan jetën në finalen e “Euro 2020”

Shtëpia e futbollit Europian, UEFA, ka ftuar reprezentuesin e Danimarkës, Christian Eriksen, dhe stafin mjekësor që ia shpëtuan jetën mesfushorit danez pas një sulmi në zemër në ndeshjen ndaj Finalandës në “Euro 2020”.

Eriksen është larguar nga spitali pas operimit në zemër dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

UEFA ka konfirmuar se kanë ftuar Eriksenin, gruan e tij dhe gjashtë anëtarët e stafit mjekësor që të jenë prezent në finalen e “Euro 2020”, por ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje finale.

Njëri nga anëtarët e stafit mjekësor, Peder Ersgaard, ka thënë se është i nderuar që ka marrë ftesë që të jetë prezent në tribunën VIP, nga Presidenti i UEFA-s, Alseksander Çeferin.

“Unë jam i ngazëllyer, si një fëmijë në prag të Krishtëlindjeve”, ka thënë ai për revistën Fagbladet FOA.

Danimarka e Christian Eriksenit, të mërkurën luan në gjysmëfinale ndaj Anglisë dhe po e kërkon një biletë për finalen e madhe të “Euro 2020”, ku do të luajë me fituesin e ndeshjes Itali – Spanjë.