Tre futbollistë të Prishtinës dalin pozitivë me COVID-19

Tre futbollistë dhe katër pjesëtarë të stafit të klubit “Prishtina” kanë rezultuar pozitivë në testet që janë bërë para udhëtimit të klubit për ndeshjet kualifikuese për Europa League.

Lajmi është konfirmuar nga vet klubi në një njoftim.

“FC Prishtina dje mbrëmë ka pranuar rezultatin e testeve nga IKSHPK dhe nga 34 të testuar, pozitiv kanë dalë shtatë sosh, tre futbollistë, njëri prej tyre 17 vjeç dhe katër anëtarë të stafit të ekipit”, thuhet në njoftim.

“Të infektuarit pritet të ritestohen sërish pas pak ditësh, sepse konsiderohet që të gjithë janë në fund të procesit të infektimit dhe afër shërimit të plotë”, tha KF “Prishtina”.

“Skuadra do t’i vazhdojë përgatitjet në fushën e Istogut deri më 17-18 gusht, deri sa kundërshtarin në ndeshjen paraeliminatore e mëson më 9 gusht, kurse ndeshjen e zhvillon me 20 gusht varësisht shortit”.

KF “Prishtina” merr pjesë në kualifikimet për Europa League si fituese e Kupës së Kosovës.