Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tre futbollistë të Kosovës largohen nga grumbullimi për ndeshjet e nëntorit

Futbollistët Elbasan Rashani, Lirim Kastrati dhe Bersant Celina edhe pse ishin të ftuar në këtë grumbullim për dy ndeshjet e nëntorit, do të largohen më herët.

Federata e Futbollit të Kosovës ka njoftuar përmes një komunikate për media arsyet se pse treshja e repartit sulmues nuk do të jenë të gatshëm për këto dy ndeshje.

“3 futbollistët që ishin pjesë e listës së përzgjedhësit Gliha nuk do t’i bashkohen ekipit në këtë grumbullim. Elbasan Rashani ka pësuar lëndim në ndeshjen e djeshme me klubin e tij, kurse Lirim Kastrati dhe Bersant Celina me kërkesën e tyre për shkak të situatave respektivisht me klubet e tyre janë liruar nga obligimet me ekipin kombëtar për këtë grumbullim’’ thuhet në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Ndërsa situata me Zymer Bytyqin mbetet e paqartë, për shkak se ai ka pësuar një lëndim me skuadrën e tij, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore do të merret vendimi përfundimtar për të.

Kosova luan kundër Jordanisë me 10 nëntor, ndërsa me 14 nëntor përballet kundër Greqisë.