Trajnerja e Kosovës thotë se nuk i frikësohet Polonisë

Kombëtarja e Kosovës A në konkurrencën e vajzave në futboll të enjten do të përballet me Poloninë në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror të vitit 2023.

“Dardanet” sot e kanë mbajtur stërvitjen e fundit para ndeshjes së nesërme.

Përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazliu pret nga futbollistet e saj që ta japin maksimumin në ndeshjen e nesërme për të dalë me rezultat pozitiv.

“Nuk është se nuk jemi në një grup të fortë. Edhe Polonia i bashkëngjitet Norvegjisë dhe Belgjikës. Megjithatë, ne jemi munduar ta analizojmë ekipin kundërshtar dhe nuk do të thotë se ne nuk do të japim maksimumin edhe pse Polonia shihet si favorit në letër. Nuk do të jetë e lehtë dhe nuk është kundërshtar që nuk e njohim. Megjithatë, unë shpresoj që nëse nesër do të mund t’i pasqyrojmë të gjitha vlerat që i kemi shpresoj në rezultat pozitiv”, ka thënë të mërkurën Fazlija në konferencën për media.

Kosovë – Poloni luhet nga ora 16:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Më 30 nëntor Kosova e pret në shtëpi po ashtu kombëtaren e Shqipërisë në këto kualifikime ku do ta kenë ndeshjen e fundit për këtë vit.