Projekti i stadiumit të ri nacional të Kosovës

Trajneri kosovar preferon stadiumin kombëtar sa më afër Prishtinës

Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri në largim, Ramush Hardinaj, me 4 dhjetor të vitit 2017, në mbledhjen e qeverisë kishte marrë vendim që zona ekonomike e Drenasit, të caktohet si lokacion për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës.

 

Fillimisht, vendi ku ishte caktuar lokacioni i stadiumit ishte tjetër. Presidenti aktual Hashim Thaçi, në kohën kur ishte kryeministërmë 18 mars të 2014, në mbledhjen e qeverisë, kishte marrë vendim që të fillojnë procedurat për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës. Lokacioni ishte caktuar në territorin e komunës së Prishtinës.

Por, lokacioni për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës, ka ngjallur prapë reagime.

Anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një emison në T7, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, si fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë vendosur që stadiumin kombëtar i Kosoës të mos ndërtohet në Drenas, por në Bernicë, zonë që shkon me Prishtinën.

“Gjatë bisedimeve me Vetëvendosje kemi vendosur që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas”, ka treguar Abdixhiku.

Një tjetër person nga LDK-ja ishte deklaruar për lokacionin e stadiumit. Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit kishte thënë se stadiumi  kombëtar i Kosovës do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme të komunës së Prishtinës.

Gjatë këtyre dy ditëve ka pasur shumë reagime e sygjerime se ku duhet të ndërohet stadiumini nacional i Kombëtares së Kosovës.

KALLXO.com, ka pyetur trajnerin e futobllit Genc Sermaxhaj, për çështjen e stadiumit kombëtar të Kosovës, se a është  i rëndësishëm lokacioni apo ndërtimi i shpejtë i tij.

Genc Sermaxhaj ka thënë se edhe lokacioni edhe ndërtimi i shpejtë i stadiumit kombëtar janë të rëndësishëm duke thënë se vendimet për lokacionin e tij në Drenas janë bërë në baza politike.

“Është i rëndësishëm edhe lokacioni edhe ndërtimi i tij i shpejtë. Vendimet e mëhershme të lokacionit të stadiumit janë bërë në baza politike që ky stadium të ju shkoj dikujt sa më afër ndoshta edhe para derës së shtëpisë së tyre”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj.

Sermaxhaj i cilëson shqyrtimet e VV-së me LDK-në si me vend për ndërrimin e lokacionit të stadiumit kombëtar të Kosovës, ai thotë se ky stadium duhet të jetë në Prishtinë.

“Këto veprime janë të gabueshme dhe tani shqyrtimet për ndërtimin e këtij stadium janë më vend dhe me gjasë do të ndryshohet edhe lokacioni i mëhershëm. Vendi më i mirë, më i duhur, më komod që plotëson edhe shumë kërkesa tjera për lojtarët, tifozët, kombëtaren dhe ekipet tjera që vijnë në Kosovë, duhet të jetë në kryeqytet, shumë afër Prishtinës”, shprehet Sermaxhaj për KALLXO.com.

Ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare, tregon se kryesisht stadiumet e kombëtarave në shtetet më të mëdha në Europë janë të ndërtuar në kryeqytete.

“Duhet të kemi parasysh këta faktorë dhe të mos bëhet ky ndërtim në një vend jashtë Prishtinës. Gjithashtu kujtojeni se kryesisht stadiumet e kombëtareve ku ata i zhvillojnë ndeshjet e tyre kryesisht janë në kryeqytete. Anglia pjesën dërmuese të ndeshje i zhvillon në Wembly, Londër,  Spanja në Madrid, Italia në Romë. Mirëpo këto shtete kanë ekonomi të zhvilluar dhe kanë edhe plotë stadium të tjera që mundet varësisht rëndësisë së ndeshjes edhe të ndërrojnë stadiumet për lojë”, tregon Sermaxhaj.

Sermaxhaj insiston se stadiumi kombëtar i Kosovës duhet që të ndërtohet në Prishtinë, ai i cilëson si qesharake deklarimet se ky stadium duhet të ndërtohet në Ferizaj e Drenas.

“Në këto moment po e kemi të vështirë edhe një të vetëm ta ndërtojmë, le të bëhet një po në vendin e duhur dhe mos t’ua marojmë qefin secilit se ku do të bëhet ky stadium, por le të merren për bazë faktorët që ua lehtësojnë mundësitë tifozëve tanë dhe kundërshtarë për udhëtime dhe gjëra të tjera përcjellëse. Qesharake janë deklaratat se stadiumi duhet të ndërtohet në Ferizaj e Drenas. Edhe unë jam nga Gjilani dhe do të doja që ky stadium të ndërtohej në Gjilan, por momentalisht nuk janë rendet. Prishtina është vendi I duhur për këtë stadium, në të ardhmen kur të bëhen mundësitë për ndonjë stadium tjetër, atëherë le të bëhet një në Gjilan, Ferizaj, Drenas e Prizren”, thotë Genc Sermaxhaj për Kallxo.com.