(Arkiv) Foto: FC PRISHTINA

Trajneri i ri i Prishtinës shënon fitoren e parë

Kanë përfunduar dy takimet e parë të xhiros së 15-të në kuadër të Superligës së Kosovës në Futboll.

Në kryeqytet Prishtina ka arritur që të fitojë me rezultat 2:0 kundër Ferronikelit.

Golat për Prishtinën i shënuan Leonit Abazi kur po zhvillohej minuta e 60-të e takimit ndërsa për 2:0 u përkujdes Bleart Tolaj.

Kjo është fitorja e parë e trajnerit të ri të Prishtinës Abdulah Ibrakoviq, pasi që në ndeshjen e parë ndaj Dukagjinit kishte barazuar.

Pas kësaj fitore Prishtina gjendet në pozitën e pestë me 21 pikë të grumbulluara ndërsa Ferronikeli mbetet në fund të tabelës me 10 pikë të grumbulluara pas 15-të xhirove të zhvilluara.

Ndeshjet e radhës Prishtina përballet kundër Dritës ndërsa Ferronikeli përballet kundër Ulpianës.

Në Klinë, Dukagjini arriti që të barazonte kundër ekipit të Ulpianës me rezultat 1:1 edhe pse të parët në epërsi kaluan mysafirët. Ishte minuta e 55-të e takimit kur në skenë doli Ermir Rezi që arriti që të shënonte për Ulpianën, kur u menduar që ndeshja do të ketë një fitues, në minutën e 81-të , Altin Merlaku barazoi rezultatin në 1:1.

Pas kësaj ndeshje Dukagjini gjendet në pozitën e tetë me 16 pikë ndërsa Ulpiana gjendet në një pozitë më lartë me një pikë më shumë.

Javën tjetër Dukagjini do të përballet kundër Llapit ndërsa Ulpiana do të përballet kundër Ferronikelit.