Trajneri i portierëve te Gjilani tregon për formën e mirë që po kalon Enea Koliçi

Gjilani sot ka fituar me rezultat 1-0, ndaj Drenicës, në kuadër të xhiros së 13-të në Superligë, duke e mbajtur portën e pa prekur.

Portieri i Gjilanit, Enea Koliçi sot ka arritur në koutën e 692 minutave pa pranuar gol, duke e thyer rekordin e Faton Malokut të Dritës me 560 minuta pa pësuar gol.

Koliçi nuk ka pësuar gol nga 5 tetori në ndeshjen ndaj Arbërisë.

Për formën e mirë ka folur trajneri i portierëve te Gjilani, Enver Sermaxhaj, i cili i ka mbrojtur ngjyrat e këtij klubi në të kaluarën.

“Dihet mirë se Enea ka një karrierë të pasur profesionale, pasi kaloi nëpër të gjitha kategoritë me klube të njohura. Ai mbizotëron një teknik shumë të përsosur, mirëpo çelësi i suksesit të tij është sepse punon shumë në stërvitje dhe jashtë tyre”, ka thënë fillimisht Sermaxhaj për KALLXO.com.

Sermaxhaj ka treguar se Koliçi është shembull për portierët e rinj, ani pse është 34 vjeçar punon shumë dhe ka disiplinë të madhe në stërvitje dhe në lojëra.

“Enea është punëtor i madh, nuk lodhet kurrë në stërvitje, është shembull për portierët e rinj, mbi të gjitha ka disiplinë të madhe. Jo veç Enea, por edhe grupi po funksionon shumë mirë ngase me ushtrime dhe punën që po e bëjmë në vazhdimësi po mundohemi ta mbajmë në formë një portier i cili është shembull në futbollin modern”, tregon Enver Sermaxhaj, ish-portier i Gjlanit.

Trajneri i portierëve Enver Sermaxhaj dhe portieri i Gjilanit, Enea Koliçi