Gentian Mezani - Foto: KALLXO.com

Trajneri i Gjilanit flet rreth mundësisë që kampioni të përcaktohet përmes "play-off"-it

Pandemia e coronavirusit ka bërë që Federata e Futbollit të  Kosovës të pezullojë ndeshjet për një kohë të pacaktuar.

Përpos futbollit kosovar edhe futbolli europian është pezulluar pothuajse tërësisht.

Të martën më 17 mars, UEFA, pritet të marrë një vendim se kur do të rinisin kampionatet.

Po ashtu sipas mediumeve europiane mund të ndodh që titulli i kampionit në disa kampionate të vendoset përmes play-off-it.

KALLXO.com ka kontaktuar trajnerin e skuadrës së Gjilanit, Gentian Mezanin, në lidhje me pasojat që ia sjell coronavirusi futbollit kosovar.

Mezani ka thënë se pandemia COVID-19 ka ndikuar edhe jashtë futbollit kosovar dhe duhet të jenë të kujdesshëm që t’i ndjekin këshillat e dhëna.

“Mendoj që në situatën që jemi ndikimi i këtij virusi në futbollin në tërësi, jo vetëm në Kosovë ka ndikuar tashmë. Kjo është një situatë që gjithsecili duhet të jetë i përgjegjshëm dhe gjëja më e mirë është që të ndjekim të gjithë këshillat e dhëna”, ka thënë fillimisht Mezani për KALLXO.com.

Trajneri i “skifterëve” ka thënë se skuadra e tij i ka ndërprerë stërvitjet e përbashkëta, por ia ka dhënë secilit lojtar planin individual që të stërviten.

“Ne si skuadër pa diskutim që i kemi ndërprerë stërvitjet, kemi dhënë për gjithsecilin planin individual të cilin mund ta zhvillojnë edhe në kushtet e shtëpisë nëse nuk do të munden të dalin në terren”, ka zbuluar trajneri i Gjilanit.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të pranonte Gjilani që të luante në “play – off”, për titullin e kampionit, pasi pozicionohet në vendin e tretë në Superligën e Kosovës në futboll, ai ka thënë se çdo gjë që merret me vendim të UEFA-s dhe FFK-së do të pranohet nga Gjilani.

“Unë shpresoj që kjo situatë të kalojë shpejt dhe pa shumë pasoja në popullatë si në Kosovë edhe në Shqipëri. Nëse do të ishte e mundur të kthehet normaliteti në kampionatin në Kosovë, nëse nuk do të jetë e mundur, atëherë ne do t’i nënshtrohemi çdo vendimi që do të merrte UEFA DHE FFK-ja”, ka potencuar Gentian Mezani.

Gjilani pozicionohet në vendin e tretë me 41 pikë, tri më pak se vendi i parë që pozicionohet Ballkani.