Gani Sejdiu

Trajneri i Drenicës flet para ndeshjes ndaj Prishtinës

Futbolli në Kosovë do të rifillojë me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.

Më 2 qershor do të përballen Prishtina – Drenica në kuadër të ndeshjes së parë të gjysmëfinales në Kupën e Kosovës.

Prishtina-Drenica do të luhet prej orës 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet, pa praninë e tifozëve.

Klubet e Superligës së Kosovës i kanë nisur përgatitjet intensive që dy javë për rifillimin e garave nën kushte strikte të cilat janë vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.

Në një bisedë për KALLXO.com, trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, ka thënë se do të jetë një ndeshje e vështirë për ta në momente të papërshtatshëm, për shkak të kohës së shkurtër për përgatitje.

Sejdiu thotë se Drenica në këtë ndeshje do të hyjë e motivuar.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë, në një moment jo të përshtatshëm për ne, për shkak të kohës shumë të shkurtër për përgatitje, por pavarësisht kësaj ne do të hymë në këtë takim të mobilizuar maksimalisht dhe të motivuar, edhe pse e dimë se kemi përballë Prishtinën një ndër skuadrat më cilësore në vend”, ka thënë Sejdiu për KALLXO.com.

Trajneri mitrovicas ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse nuk pëson humbje në Prishtinë, në mënyrë që të kenë gjasa më shumë për kualifikim në ndeshjen e kthimit që luhet më 17 qershor.

“Ne do  të ishim të kënaqur nëse nuk do të humbnim, sepse pastaj në takimin kthyes do të kishim gjasa për kualifikim”, vlerëson Sejdiu.

Në këtë ndeshje Drenica do të jetë e kompletuar, përveç sulmuesit prishtinas, Alban Shillova, që është i huauzar nga Prishtina.

“Përveç sulmuesit Alban Shillova, të gjithë lojtarët janë në dispozicion”, ka zbuluar Gani Sejdiu.

Ish-trajneri i Trepçës ka thënë mosprania e tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, do t’ua lehtësojë gjërat skuadrës së tij.

“Mund të jetë, por mos prania e tifozëve nuk luan shumë rol, edhe pse duhet pranuar se na i lehtëson gjërat”, potencon Sejdiu.

Ndeshja tjetër gjysmëfinale e Kupës së Kosovës do të jetë ajo ndërmjet Ballkanit dhe Feronikelit.

Kujtojmë se fitues i Kupës së Kosovës në vitin e kaluar ishte skuadra e Feronikelit.