Gani Sejdiu

Trajneri i Drenicës e paralajmëron Gjilanin: Do të luajmë për fitore

Dita e shtunë me 8 shkurt, në futbollin kosovar do të jetë e rezervuar për super ndeshjen Drenica – Gjilani, e cila luhet në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, në kuadër të çerekfinales së Kupës së Kosovës, prej orës 12:30.

Drenica në këtë ndeshje vjen me përbërje të re, duke nisur prej trajnerit, Gani Sejdiu i cili është emëruar në vend të Tahir Lushtakut.

Kurse, Gjilani, vjen me një përbërje pothuajse të njejtë.

Kupa e Kosovës është e vlefshme, pasi vlen më shumë se trofe.

Skuadra e cila shpallet kampion, fiton të drejtën që të bëj pjesë në garat europiane.

Për KALLXO.COM, për këtë ndeshje ka folur trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se kjo ndeshje do të jetë e vështirë për të dy ekipet, pasi është fillimi i sezonit.

Por, timonieri mitrovicas beson se këtë ndeshje do ta fitoj skuadra e tij.

“Do të jetë ndeshje shumë e vështirë, në një moment jo të përshtatshëm për të dy ekipet për shkak të motit. Por ne jemi të përgatitur mirë që këtë ndeshje ta fitojmë edhe pse ekipi ka bërë ndryshime që duhet kohë që të tregojmë forcën reale, por synimi i ynë është fitorja dhe të vazhdojmë deri në fund të këtij kompeticioni për të fituar”, ka thënë Gani Sejdiu për KALLXO.COM.

KALLXO.com, ka kontaktuar edhe trajnerin e Gjilanit, Gentian Mezani, i cili nuk ka pranuar të flas para kësaj ndeshje të rëndësishme.