Trajneri i Çekisë: Ne nuk pranojmë që të humbasim nesër ndaj Kosovës

Trajneri i Republikës së Çekisë, Jaroslav Shilhavy, ka folur në konferencë për media, para ndeshjes Çeki – Kosovë, e cila luhet të enjten prej orës 20:45, në stadiumin “Doosan Arena” në Plezen.

Shilhavy ka thënë se nuk kanë nevojë për motivim, pasi të gjithë lojtarët çek e din rëndësinë e kësaj ndeshje.

“Nuk kemi nevojë për motivim, pasi të gjithë e dinë rëndësinë që ka ndeshja e nesërme për ne. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e parë nuk besoj që do t’i përsërisim”, ka thënë fillimisht Jaroslav Shilhavy.

Trajneri çek ka thënë se Kosova ka lojtarë të mirë dhe se kanë besim djelmoshat e udhëhequr nga Bernard Challandes.

“Ju keni lojtarë të mirë dhe keni besim në lojtarët dhe lojën tuaj. Shembull Rashica është lojtar shumë i mirë. Kam një ndjesi pozitive për ndeshjen e nesërme. Nëse ne nuk fitojmë nesër, do të shkonte huq e gjithë puna që kemi bërë. Unë e di 90 për qind se kush do të luajë nga minuta e parë nesër kundër Kosovës. Unë besoj te lojtarët dhe te të gjithë që janë afër nesh. Na kanë mbetur disa bileta pa shitur dhe besoj që do të shiten. Besoj që do të shiten të gjitha biletat dhe do ta kemi përkrahjen e madhe të tifozëve”,, ka deklaruar Shilhavy.

Jaroslav Shilhavy ka thënë se nesër nuk e pranojnë humbjen assesi ndaj Kosovës.

“Ne nuk pranojmë që nesër të humbasim”, u shpreh ai.