Trajneri i Arbërisë pas fitores ndaj Ballkanit: Për sot mund të them që edhe fati ke me neve

Arbëria ka shënuar një fitore jetike në luftë për mbijetesë duke e mposhtur Ballkanin me rezultat 2-3. Kjo ndeshje u zhvillua në Suharekë në kuadër të xhiros së 33-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina, ka thënë se skuadra e tij ka treguar pjekuri në lojë.

“Duhet me e thanë atë që më flenë në shpirt, në Suharekë është kënaqësi të luash gjithmonë, në një ambient të mirë dhe kundër një ekipi që ka bërë revolucion në futbollin tonë. Si duket ne kemi qenë më pak të ngarkuar dhe e kemi shfrytëzuar këtë rast. Ne po tregojmë një papjekuri në lojë, sepse kur po kemi rezultat si vendas ne po pësojmë, mandej po fitojmë si mysafir”, ka thënë fillimisht Arbnor Morina.

Morina ka thënë se sot skuadra e tij ishte me fat.

“Kemi disa lojtarë të lënduar dhe disa lojtarë me kartonë, mirëpo ajo që e ka karakterizuar Arbërinë nga fillimi është se të gjithë e japin 100% e tyre dhe mundohen në mënyrën më të mirë me i mbrojt ngjyrat e klubit. Për sot mund të them që edhe fati ke me neve”, ka deklaruar Morina pas ndeshjes.

Pas kësaj fitoreje Arbëria ngjitet në vendin e tetë me 36 pikë.

Në xhiron e ardhshme, Arbëria e pret në shtëpi Drenicën.