Gani Sejdiu

Trajneri Gani Sejdiu: Lojtarët pinin tinëz cigare gjatë pauzës mes dy pjesëve të lojës

Të gjitha aktivitetet sportive në Kosovë janë pezulluar që nga 13 marsi si masë parandaluese ndaj përhapjes së coronavirusit ndërsa sportistët e trajnerët janë të detyruar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, duke e bërë më të vështirë përgatitjen e tyre fizike.

Me detyrimin që të qëndrojnë në shtëpi duke e pasur të kufizuar që të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë për t’i kryer shërbimet e domosdoshme (blerje e ushqimeve, ilaçeve apo edhe kryerjen e shërbimeve bankare e të pagesave), trajnerët e kanë të vështirë t’i përgatisin si duhet futbollistët e tyre.

Gani Sejdiu, trajner i Drenicës, në një intervistë për KALLXO.com, ka treguar se si po i kalon ditët në ngujim, si po stërviten futbollistë e tij dhe ka zbuluar të pathëna që i kanë ndodhur mitrovicasit si trajner.

Sejdiu thotë se ditët në ngujim janë të zakonshme për të, i respekton rregullat, kohën për lëvizje e shfrytëzon që të bëjë vrap dhe ushtrime te liqeni i Mitrovicës.

“Ditët në karantinë janë të zakonshme duke i respektuar rregullat dhe oraret. Zakonisht oraret i shfrytëzoj për nevoja ditore si dhe çdo të dytën ditë bëj vrap të kombinuar me ushtrime të forcës te liqeni, sepse i kushtoj shumë rëndësi formës fizike”, tregon Gani Sejdiu.

Formën optimale e kanë të vështirë ta mbajnë lojtarët e Drenicës në këtë periudhë, thotë trajneri i tyre, Gani Sejdiu.

“Sa i përket stërvitjeve, lojtarët janë duke u stërvitur, pavarësisht se me vështirësi, sepse e kanë të vështirë me implementu planin për shumë arsye. Ata janë profesionistë dhe të përgjegjshëm, po bëjnë çmos që ta mbajnë formën e tyre edhe pse formën është e pamundur ta mbajnë në nivelin kur ka filluar pauza, por është më rëndësi që ajo mos të lejohet që të bjerë nën përqindjen e cila na mundëson që me një mini-fazë mos të na shfaqen probleme dhe të arrijmë formën më shpejtë”, potencon ai për KALLXO.com.

Trajneri nga Mitrovica e vlerëson si opsion real vazhdimin e kampionatit, por ai ka skepticizëm për kushtet që do t’i kenë për t’i zhvilluar lojërat.

“Po bëhet çmos që kampionati të vazhdohet, gjë që kishte me qenë opsioni më real, por duhet të kemi kujdes që të bëhen preventivat e duhura që mos të rrezikohet shëndeti, e që unë jam skeptik që ne kemi kushte që të jemi të sigurt në këtë aspekt. Drenica do të jetë e gatshme për vazhdimin e kampionatit, sepse besoj që do të realizojmë një mini-fazë të suksesshme dhe do të përgatitemi sa më mirë që të jetë e mundur”, thotë Gani Sejdiu.

Ditët në ngujim i cilëson si të mundimshme dhe monotone Sejdiu, pasi është një person aktiv. Ai tregon se në ushqim është i kujdesshëm dhe nuk ka shtuar peshë.

“Këto ditë të karantinës për mua janë të mundimshme dhe monotone, sepse unë nuk jam person që mundem me qëndru gjatë në një vend. Por, përkundër kësaj kujdesem për formën fizike me aktivitet por edhe te ushqimi gjithmonë, por sidomos tasht që është shumë vështirë, jam shumë i kujdesshëm se çka edhe çfarë sasie konsumoj, deri tani nuk kam shtuar peshë, sepse të gjithë ata që më njohin e dinë se unë jam i kompleksuar sa i përket kësaj”, thotë për KALLXO.com.

Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare për KALLXO.com zbulon dy gjëra të pathëna që i kanë ndodhur gjatë karrierës si trajner.

Sa ishte trajner i Trepçës ’89, dy futbollistë të tij gjatë pauzës në mes pjesëve kishin pirë cigare në banjo, e këtë nuk e kishte kuptuar asnjëherë deri sa i kishte treguar Elvis Osmani. Sejdiu thotë se ende i vjen inati që nuk ka arritur t’i kap në flagrancë duke pirë cigare.

“Sa i përket gjërave interesante që më kanë ndodhur gjatë karrierës si futbollist dhe si trajner ka shume, por do t’i veçoj dy prej tyre. Kur isha trajner te Trepça ’89, Elvis Osmani më zbuloi një sekret për të cilin as që e kisha imagjinuar se mund të ndodhte. Ai në mes të pjesëve të lojës me ndihmën e një anëtari të kryesisë dhe lojtarin Xhavit Mehmeti, sa hynin në zhveshtore merrnin leje për në toalet dhe aty i pritshin të gatshëm me nga një cigare, ku e pinin shpejt dhe ktheheshin brenda sikur s’ka ndodhur asgjë, duke e shfrytëzuar pesë minutshin e parë ku unë e kam zakon që nuk lejojë askënd me fol, por vetëm pushim. Edhe atëherë kur më tregoi edhe tasht ende ndihem i nervozuar se si nuk kam mundur t’i kapi, por ai është legjendë dhe i falen të gjitha”, zbulon Sejdiu.

Sejdiu zbulon se çka i kishte ndodhur në finalen e Kupës së Kosovës, ndaj Trepçës ’89 sa ishte trajner i Feronikelit. Se si ishte fascinuar me futbollistin Isa Eminhaziri.

“Rasti i dytë është në finalen e Kupës së Kosovës ndaj Trepçës ’89 sa isha trajner te Feronikeli, ku ishim shpallur edhe kampion. Gjatë lojës ishte akordu penallti për ne, Behar Maliqi shënoi me panenka e që ishte shumë e guximshme, loja shkoi në penallti dhe erdhi koha e Isa Eminhazirit për ta ekzekutuar dhe ai mu afrua dhe më tha: trajner unë do ta bëj panenkën, gjë që më ngriti nervat, sepse si është e mundur që në një ndeshje një ekip t’i bëjë dy penallti në atë mënyrë, dhe i thash aje normal, por ai ma ktheu dhe më tha trajner mos u brengos, në atë moment u impresionova prej sigurisë së tij dhe në atë mënyrë e realizoi penalltinë, ku pas pritjes së Kolshit në penalltinë e fundit e fituam Kupën e Kosovës”, kujton Gani Sejdiu.

Trajneri mitrovicas, me Drenicën pas 22 xhirove pozicionohet në vendin e shtatë me 30 pikë.