Tifozi anglez: Kam qenë mbi 30 vende, por askund nuk jam pritur më mirë se në Kosovë (VIDEO)

Faqja zyrtare e Ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë, e ka publikuar një video ku flet një tifoz për mikpritjen që po i bëhen atyre në Kosovë.

Kosova do të jetë nikoqire e Anglisë, të dielën prej orës 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit për eliminatoret për “Euro 2020”, në kuadër të Grupit A.

Tifozët kosovarë kanë nisur një kampanjë me pankarta duke e mirëpritur Kombëtaren e Anglisë në Kosovë, po ashtu edhe tifozët e saj.

Tifozët anglez duket se po e pëlqejnë sjelljen dhe mikpritjen e kosovare.

“Emri im është Matt. Unë vij nga Newcastle, Angli. Jam këtu për ndeshjen e Anglisë kundër Kosovës nesër (e diel) mbrëma”, ka thënë Matt.

Tifozi anglez ka thënë se ka qenë mbi 30 vende të ndryshme për ta ndjekur Anglinë, mirëpo mikpritje si në Kosovë nuk ka hasur askund.

“Mirëpritje si kjo nuk kam pasur askund tjetër. Unë kam qenë mbi 30 vende të ndryshme për ta ndjekur Anglinë, por mirëpritje si kjo nuk kam pasur askund. Unë bëj disa punë për “asociacionin e mbështetësve të futbollit” kështu që ne jemi këtu për t’i ndihmuar tifozët e Anglisë. Shpresoj të fitojmë, por nuk mendoj se do të jetë lehtë, 2-1 ndoshta. Është ndeshje e madhe për Kosovën dhe atmosfera do të jetë shumë e mirë dhe shpresoj të fitojmë 2-1”, ka përfunduar Matt.