'The Guardian': Kosova, një nga 10 kombëtaret që duhet të jenë në fokus në kualifikimet për Euro 2020

Gazeta e njohur britanike “The Guardian” ka radhitur kombëtaren e Kosovës në futboll si një nga ekipet që duhet të jenë në fokus në ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Euro 2020.

Sipas “The Guardian”, historia e suksesit të Kosovës është treguar mirë deri tani dhe ata do të shkojnë të martën e ardhshme për të luajtur kundër Anglisë pas 14 ndeshjeve si e pamposhtur ku përfshihet edhe fitorja e befasishme në Bullgari.

“The Guardian” shkruan se Kosova është skuadra më e re ndërkombëtare në Evropë dhe, këto ditë, një skuadër e rrezikshme, “kushdo që pret një fitore të lehtë nga Anglia duhet ta mendojë përsëri por është turp që ata do të udhëtojnë pa dy kërcënimet e tyre më të mëdha.”

Milot Rashica dhe Arbër Zeneli janë dy nga lojtarët më të mirë të krahut por të dy janë të lënduar.

Mungesa e tyre minon shansin realist për të arritur në Euro 2020. Njëjtë si Rashica e Zeneli edhe Benjamin Kololli dhe Hekuran Kryeziu do të mungojnë gjithashtu.

Por, Kosova ka kërcënime të tjera, siç është sulmuesi në formë i Fenerbahces, Vedat Muriqi dhe Bersant Celina i Swansea, kështu që nëse mund të dalin me fitore nga loja e së shtunës me Republikën Çeke atëherë ndoshta mund të ketë një tronditje në Southampton.

Të shtunën Kosova do të ndeshet me Republikën Çeke në stadiumin “Fadil Vokrri”. Më pas më 10 shtator do të udhëtojë në Angli për tu përballur me “Tre luanët”.

Aktualisht Kosova gjendet në Grupin A, e cila kryesohet nga Anglia e cila ka grumbulluar 6 pikë, aq sa ka edhe Republika Çeke, e cila radhitet në vendin e dytë. Kosova gjendet në pozitën e tretë me 5 pikë. Grupi mbyllet me Malin e Zi dhe Bullgarinë, të cilat janë në pozitën 4 dhe 5 me nga dy pikë secila.