Tevez: Një futbollist mund të jetojë një vit pa pranuar pagë

Ish-futbollisti i Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt, Carlos Tevez, ka folur për gjendjen në të cilën po kalon bota e futbollit nga pandemia COVID-19.

Shkaku i përhapjes së coronvirusit pothuajse të gjitha kampiontet e futbollit janë pezulluar.

Carlos Tevez, ka thënë se një futbollist mund të jetojë edhe një vit pa marrë pagë.

“Një futbollist mund të jetojë gjashtë muaj apo një vit pa pranuar pagë”, ka thënë Tevez.

Ylli i Boca Juniors në një intervistë për “America TV”, në Argjentinë, ka thënë se futbollistët duhet të jenë prezentë e t’i ndihmojnë të tjerëve.

“Ne nuk jemi në të njëjtën gjendje me ata që jetojnë me fëmijët e tyre çdo ditë, që duhet të dalin nga shtëpitë e tyre në ora gjashtë të mëngjesit dhe të kthehen në shtatë në mbrëmje, për të ushqyer familjet e tyre. Ne nuk jemi shembulli që duhet të ndjekim në këtë rast, në gjërat tjera po. Duhet të jemi prezentë dhe të ndihmojmë. Është e lehtë për mua të flas nga shtëpia, duke ditur se kam ushqim për fëmijët e mi. Por është situatë shqetësueses për njerëzit e dëshpëruar, ata që nuk mund të lëvizin dhe nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Tevez.

Kujtojmë se shumë klube kanë pranuar ulje të pagës, po ashtu, disa futbollist edhe kanë dhënë para për t’i ndihmuar vendet e tyre për ta luftuar coronavirusin.