Tensione në kuvendin zgjedhor të FFK-së, Agim Ademi kërkon mocion votëbesimi

Me tensione të theksuara është duke u zhvilluar kuvendin zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Kryetari aktual i FFK-së, ka kërkuar nga delegatët që me anë të votëbesimit të merret vesh a ka mandat të vazhdojë të mbajë postin apo jo.

“Mandati im është deri në vitin 2022, përkundër saj ka pasë zëra se mandati im nuk  duhet të vazhdohet. Në ketë rast delegatë të nderuar nuk kam dashtë asnjëherë të qëndroj. Prandaj para juve kam vendosur ta konfirmoj besimin tuaj. Votëbesimin tim e qita që kam mandat apo nuk kam”, ka thënë Ademi.

Ndërsa trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka kërcënuar me bojkot të ligës, ndërsa ka përmendur edhe disa delegatë, që sipas tij , nuk kanë të drejtë të zgjidhen.

“Po shkelet statuti i FFK-së, më 15 janar ka përfundu mandati i tij, prapë na qet në lajthitje. Çdo dy vite na duhet të shkojmë në zgjedhje. Po investojna milionat për rininë. Njerëzit për interesa personale dëshirojnë ta uzurpojnë FFK-në. Po kërkon ta zgjat mandatin dhe po lyp vetëbesim. Gara duhet me qenë korrekt. Këtë shumë mirë e di sekretari Eroll Salihu. Nëse ma japin për futbollin nuk duhet dikush të na hedh poshtë investimet tona”, deklaroi Batatina.

Sipas Batatinës, këta janë delegatët që përbëjnë konflikt interesi:

1. Muharrem Sahiti, nuk mundet me qenë delegat i kuvendit sepse është trajner i Kombëtares  të cilin e ka emëruar  Komiteti Ekzekutiv. Ai merr pagë të lartë nga KE  tani ai nuk mundet me votu për anëtaret e KE sepse përbën konflikt të pastër interesi,

2. Arta Osmani, si përfaqësuese e futbollit të vajzave, nuk mundet me qenë pjesë e Kuvendit sepse është në komisionin e delegimit te refereve, e emëruar nga Komiteti Ekzekutiv, është punëtore e administratës me kontratë pune në FFK, përbën konflikt te pastër interesi,

3. Përparim Hasani, kryetari i Shoqatës së Referëve, kryetar i komisionit për delegimin e referëve, ka kontratë pune nga FFK-ja, i emëruar nga KE tani me votu për anëtar të KE dhe nuk mundet me qenë pjesë e Kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

4. Malazog Hoxha, është kryetari i LRF Gjilan, është në komisionin për referim në FFK, është kontrollor i referëve, i emëruar nga KE, nuk mundet me qenë pjesë e kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

5. Ismet Ahmeti, është sekretari i LRF Peje me kontratë pune në FFK, komisar i ligave të treta R. Dukagjinit, i emëruar nga KE tani me votu për anëtar të KE nuk mundet me qenë pjesë e kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

6. Hajrullah Haxhiu, është sekretar i LRF të Mitrovicës dhe nuk mundet me qenë delegat i kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi, këtë e ka konfirmuar vetë sekretari Eroll Salihu,

7. Agim Kastrati, përfaqësuesi i ligave te dyta nga LRF Gjilani, i cili është anëtar ne Komisionin e Garave te FFK-së, i emëruar nga KE tani me votu për anëtar të KE, nuk mundet me qenë pjesë e Kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

8. Afrim Haliti, Kryetari i LRF Ferizaj me kontratë pune në FFK, kontrollor i deleguar ne ndeshje nga FFK, i emëruar nga KE tani me votu për anëtar të KE nuk mundet me qenë pjesë e kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

9. Rasim Gimolli, kryetari i Futsallit, i deleguar si delegat në ndeshjet e futbollit te madh, i emëruar nga KE tani me votu për anëtar të KE nuk mundet me qenë pjesë e kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

10. Ismajl Ajeti, kryetari i LRF Prishtinë, komisar i ligave të dyta, të treta në FFK, i punësuar me gati krejt familjen në FFK, kandidat për KE dhe delegat, këtij i bjen me votuar për vetveten e tij, nuk mundet me qenë pjesë e kuvendit të FFK-së, përbën konflikt të pastër interesi,

11. Haki Bllacaku, përfaqësuesi i ligave te dyta në LRF Prishtina, delegat i lojërave i emëruar nga KE, klubi i tij  është shuar (fuzionim me A&N), nuk është votuar fare për të në kuvendin e fundit te LRF të Prishtinës, nuk mundet me qenë pjesë e Kuvendit të FFK-së, përbën konflikt interesi,

12. Agim Hasani , vëllai i Përparim Hasanit, përveç që familjar me Përparim Hasanin, përbën konflikt interesi, ai është delegat i ndeshjeve në Ligen e Parë i emëruar nga KE, përbën konflikt interesi me votua për anëtarët e KE,

13, Shemsedin Abazi, është delegat i ndeshjeve i emëruar nga KE dhe përbën konflikt interesi për me votu për anëtarë të KE.