Tahir Batatina flet pas fitores ndaj Trepçës ‘89

Llapi ka shënuar fitore me rezultat të thellë 5-0, ndaj Trepçës ’89, ndeshje e vlefshme për xhiron e 12-të në Superligën e Kosovës.

Pas fitores së Llapit, ka folur trajneri i kësaj skuadre Tahir Batatina, duke thënë se kanë qenë në krizë të rezultateve e jo në krizë loje, duke bërë lojë të bukur.

“Mendoj që kemi qenë në krizë rezultatesh, por jo në krizë loje. Kemi luajtur mirë, por kemi humbur ndeshjet. Si trajner kam rrezikuar me disa ndryshime, pasi që kjo ndeshje ishte jetike. I kam dhënë hapësirë lojtarëve të rijnë, pasi që nga ardhja ime në Llap i kam dhuruar mundësi talentëve”, ka deklaruar Tahir Batatina.

Batatina i ka thurur elozhe Adonis Aliut dhe Muhamet Hysenit, duke thënë se do të jenë e ardhmja e klubit.

“Adonis Aliu dhe Muhamet Hyseni do të jenë e ardhmja e Llapit, teksa pastaj inkuadrova edhe Behramin i cili nuk i ka akoma 18 vjet më bënë të besoj në këtë skuadër”, deklaroi Batatina fillimisht për “Art Sport”.

Tahir Batatina ka potencuar se krizën e Llapit do ta përjetojnë edhe klubet tjera gjatë vazhdimit të kampionatit.

“Besoj që do rikthehemi dhe do jemi skuadër që lufton e që kërkon më shumë në fushë, shfrytëzuam mungesat e tyre dhe bëmë maksimumin. Kampionati është i gjatë, si kemi pasur ne kriza mund ta kenë edhe të tjerat. Ne e patëm atë krizën tonë që gjërat nuk ecën siç duhet”, përfundoi Batatina.