Superliga rikthehet me super ndeshje

Pas një pushimi dy javor, të premten rikthehet Superliga në futbollin kosovar.

Të premten, të shtunën dhe të dielën, luhet xhiroja e katërt në Supërligë.

E premtja me 13 shtator na sjellë dy ndeshje tejet interesante, në dy termine të ndryshme.

Ballkani i drejtuar nga Ismet Munishi, e pret Trepçen ’89, të drejtuar nga Shpëtim Idrizi.

Të dy klubet nga tri ndeshje kanë statistika të njëjta, dy barazime dhe një fitore, duke i grumbulluar nga pesë pikë.

Por, nëse e bëjmë një krahasim, Ballkani, ka arritur të nxjerrë rezultate pozitive me kampionin aktual të Superligës dhe Llapin duke barazuar në Podujevë.

Ndërsa Trepça ’89 është përballur me Vushtrrinë, Drenicën dhe Gjilanin.

Ballkani do ta pres në Suharekë, Trepçën ’89, e cila ka treguar formë të mirë në këtë fillim të sezonit.

Ndeshja fillon prej orës 16:00.

Prishtina – Llapi, poashtu luhet të premten, por prej orës 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kjo ndeshje cilësohet si njëra prej më interesanteve për këtë fillim sezoni, për arsye të rivalitetit ndërmjet këtyre dy ekipeve.

Plus shto asaj, rivalitetin ndërmjet dy trajnerëve të këtyre dy ekipeve, Tahir Batatinën e Llapit dhe Bylbyl Sokolin e Prishtinës.

Prishtina deri më tani i ka grumbulluar vetëm një pikë nga dy ndeshje të zhvilluara, duke barazuar me Flamurtarin dhe duke humbur nga Feronikeli, ndërsa ndeshjen e mbetur me Dukagjinin do ta zhvilloj në fund të shtatorit.

Përballja ndaj Llapit, do të jetë e para për trajnerin Bylbyl Sokoli, i cili e morri drejtimin e Prishtinës, pas shkarkimit të Mirel Josës.

Llapi, nga tri ndeshje e ka një fitore, një humbje dhe një barazim, duke i grumbulluar vetëm katër pikë.

Dueli i fundit ndërmjet këtyre dy ekipeve kishte përfunduar me fitoren e Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 1-0, me golin e Mërgim Pefqelit, që tani i mbron ngjyrat e Llapit.

Të shtunën zhvillohet kryendeshja e kësaj xhiroje, Drita – Feronikeli, prej orës 16:00, në stadiumin e qytetit në Gjilan.

Të dy ekipet gjenden në krye të tabelës me nga gjashtë pikë.

Drita e nisi keq kampionatin me humbje, por arriti të kthjellet shpejtë duke i realizuar dy fitore të njëpasnjëshme.

Feronikeli, u befasua nga Ballkani në xhiron e dytë, mirëpo në xhiron e tretë nuk lejoi befasi nga Prishtina, duke e mposhtur në Drenas me rezultat 1-0.

Kjo ndeshje pritet të jetë interesante dhe të përcillet nga një numër i madh i tifozëve në Gjilan, për faktin se në këtë përballje do të shihet se cila skuadër ka potencial më shumë në këtë sezon.

Përballjen e fundit mes këtyre dy ekipeve e kishte fituar Feronikeli me rezultat 4-1.

Drenica e drejtuar nga Tahir Lushtaku e pret Gjilanin, skuadër e cila i ka shënuar dy fitore radhazi duke u ngritur në kreun e tabelës.

Drenica nga tri xhiro i ka një fitore, një barazim dhe një humbje.

Ndërsa Gjilani, pas humbjes nga Trepça ’89 në xhiron e parë, ka arritur të kthjellet dhe t’i shënon dy fitore radhazi.

Kjo ndeshje luhet të shtunën me 14 shtator prej orës 16:00, në Skenderaj.

Të dielën me 15 shtator, luhet ndeshja ndërmjet dy ekipeve të cilat janë në formë të dobët, Ferizaj – Vushtrria.

Ferizaj, në xhiron e parë kishte shënuar fitore ndaj Dritës, pastaj i pësoi dy humbje, duke i grumbulluar vetëm tri pikë nga tri xhiro.

Vushtrria është në formën më të dobët nga të gjitha ekipet, pasi nga tri xhiro e ka vetëm një barazim me Trepçën ’89 dhe dy humbje, duke u pozicionuar në vendin e fundit.

Pas këtij starti të keq, Vushtrria e shkarkoi trajnerin Bekim Shotani.

Në vend të tij e emëroi ish- asistentin e Antonio Contes, Antonio Toma.

56 vjeçari Antonio Toma në sezonin 2008/2010, ishte bashkë me Conten pjesë e ekipit të Atalantas në Serie A.

Ndeshja luhet prej orës 16:00.

Loja e cila shihet si më pak e rëndësishme dhe interesante, pritet të jetë ajo ndërmjet Flamurtarit dhe Dukagjinit, e cila luhet të dielën prej orës 16:00, në Prishtinë.

Flamurtari, i ka grumbulluar katër pikë nga tri ndeshje, duke nxjerrë një fitore, një barazim dhe një humbje.

Ndërsa Dukagjini, një barazim dhe një humbje. Kurse ndeshja e pazhvilluar ndaj Prishtinës, do të luhet në fund të shtatorit.

Dukagjini nuk e ka nisur mirë sezonin në Superligë, ani pse u rikthye në elitën e futbollit kosovar pas plotë 16 viteve.

Pra, xhiroja e katërt do të na sjellë ndeshje interesante e emocione të pafundme, pasi rezultati pozitiv në këto ndeshje për secilën skuadër është jetik, duke e marrë parasysh edhe luftën për titull, por edhe atë për mbijetesë, pasi në fund të sezonit katër skuadra largohen nga Superliga, duke rënë në Ligën e Parë.