Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës transferohet në Kroaci

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Arbër Hoxha ka kompletuar transferimin e tij te skuadra kroate Slaven Belupo.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë klubi kroat përmes një postimi në Twitter.

Hoxha është transferuar nga Lokomotiva e Zagrebit në drejtim të Slaven Belupo. Hoxha u transferua verën e kaluar te Lokomotiva por për shkak të minutazhit të vogël, ai u transferua te ekipi tjetër kroat.

Për fanellën e Lokomotivës, Hoxha ka zhvilluar tre ndeshje ndërsa për Kombëtaren e Kosovës ai po ashtu ka zhvilluar tre ndeshje ku edhe ka shënuar një gol.

Ai mund të debutojë të dielën kur Slaven Belupo do të luajë kundër Hajdukut në ndeshjen e xhiros së 23-Ligës së Kroacisë në Futboll.

Vetë Hoxha është shprehur i lumtur me transferimin e tij te Slaven Belupo.

“Jam i lumtur që kam ardhur në Slaven Belupo. Do të jap maksimumin në çdo seancë stërvitore dhe lojë dhe kështu do të përpiqem të ndihmoj skuadrën. Mezi pres të qëndroj në Koprivnicë dhe Slaven Belupo” ka thënë Hoxha.