Projekti i stadiumit të ri nacional të Kosovës

Stadiumi Kombëtar që s'po zë vend

Lokacioni për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës, ka ngjallur prapë reagime.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, me 4 dhjetor të vitit 2017, në mbledhjen e qeverisë kishte marrë vendim që zona ekonomike e Drenasit, të caktohet si lokacioni për ndërtimin e stadiumit.

Fillimisht, vendi ku ishte caktuar lokacioni i stadiumit ishte tjetër. Presidenti aktual Hashim Thaçi, në kohën kur ishte kryeministërmë 18 mars të 2014, në mbledhjen e qeverisë, kishte marrë vendim që të fillojnë procedurat për ndërtimin e stadiumit kombëtar të Kosovës. Lokacioni ishte caktuar në territorin e komunës së Prishtinës.

Por, një deklaratë e natën e mbrëmshme nga anëtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ringjallur reagimet.

I ftuar në një emision në T7, deputeti i Lidhjes Demokratike tha se partia e tij dhe Lëvizja Vetëvendosje, si fitues të zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë vendosur që stadiumi kombëtar i Kosovës të mos ndërtohet në Drenas, por në Bernicë.

“Gjatë bisedimeve me Vetëvendosje kemi vendosur që stadiumi kombëtar të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas”, u shpreh Abdixhiku.

Një tjetër person nga LDK-ja ishte deklaruar për lokacionin e stadiumit. Kandidatja për kryeministre nga kjo parti, Vjosa Osmani, gjatë fushatës për zgjedhjet e 6 tetorit kishte thënë se stadiumi  kombëtar i Kosovës do të ndërtohet në Bërnicë të Poshtme të komunës së Prishtinës.

E menjëherë kishte reaguar i pari i Drenasit. Ramiz Lladrovci kishte thënë se Osmani ka folur gabim për stadiumin, duke i thënë ‘mos e vok atë ujë’.

“Znj. Vjosa Osmani, gabimisht fole për Stadiumin nacional, vure në dilemë ndërtimin e tij, në komunën e Drenasit, në qendër të Kosovës. Znj. Vjosë, stadiumi nuk është çështje politike, por çështje e studiuar mirë, me fizibilitet dhe projekt të miratuar. Mos e politizo sportin. Tërë ato që ju po i mendoni, ne jemi duke i bërë, ne nuk flasim, ne punojmë. Një fjalë popullore thotë: Mos e vokë atë ujë!”, kishte shkruar në rrjetin social ‘Facebook’, Lladrovci.

Stadiumi kombëtar në Ferizaj?

E një tjetër ide për lokacionin e stadiumit është përmendur ditën e sotme. Kryetrajneri i klubit futbollistik ‘Vitia’, Agron Selmani, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka ardhur me idenë se stadiumi i Kombëtares së Kosovës duhet të ndërtohet në qytetin e Ferizajit.

Selmani ka shkruar për lokacionin gjeografik të  qytetit të Ferizajit dhe lidhjet e tij me qytetet tjera të Kosovës.

“Qyteti i Ferizajt, është i vendosur në jug të Kosovës, më saktësisht në anën e djathtë të autostradës Prishtinë – Shkup, 37 kilometra larg nga kryeqyteti i Kosoves ( Prishtina) dhe poashtu 42 km nga Shkupi nga kryeqyteti i Maqedonis se veriut ,Ferizaj është natyrshëm i lidhur edhe me qytetin e madh të futbollit qytetin e Tetovës,Ferizaj poashtu është i vendosur në mes të qyteteve Gjilan(Viti-Therand) dhe Prizren me një qasje të lehtë deri në Ferizaj”, ka shkruar Selmani.

Ai ka thënë se Ferizaji me kohë ka ndarë një zonë sportive prej 27 hektarëve, në afërsi të palestrës së sporteve dhe stadiumit të qytetit.

Selmani gjithashtu ka edhe përmendur trenin, duke thënë se lidhja hekurudhore dhe stacioni gjenden në qendër të qytetit. Ndërsa ka thënë se qyteti i Ferizajit ka afërsi edhe me aeroportin ndërkombëtar ‘Adem Jashari’, përmes qasjes në dy autostrada.

Kombëtarja e Kosovës në futboll momentalisht ndeshjet e saj i zhvillon në stadiumin e Prishtinës.

Ky stadium ishte përuruar me 13 gusht të vitit 2018 në ndeshjen Prishtina – Drita, në kuadër të Superkupës së Kosovës.

Ndërsa 20 vite pas luftës dhe tre vjet pas pranimit në FIFA dhe UEFA, Kosova ende nuk e ka një stadium të vetin, ku do t’i zhvillonte ndeshjet e saj ndërkombëtare, për më tepër,  lokacioni i këtij stadiumi ende është në pikëpyetje.