Stadiumi i Gjakovës ende në rinovim, Qeveria nuk ndan fonde të reja për vitin 2022

Qeveria e Kosovës e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2022 në vlerë prej 2 milardë e 746 milionë euro. Ky buxhet pritet të miratohet edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Në kuadër të këtij buxheti, Qeveria e Kosovës nuk ka planifikuar asnjë cent për vitin 2022 për renovimin e stadiumit të qytetit në Gjakovë.

Rinovimi i stadiumit të Gjakovës ka nisur që nga viti 2020 dhe ende nuk është përfunduar.

Sipas tabelës së projektbuxhetit të Qeverisë së Kosovës, për renovimin e këtij stadiumi janë shpenzuar deri më tani 235 mijë e 953 euro nga grandet qeveritare, kurse 120 mijë e 55 euro nga të hyrat vetanake, që i bie nga Komuna e Gjakovës.

Për vazhdimin e ndërtimit të këtij stadiumi për vitin 2022 janë bartë 500 mijë euro nga viti 2021.

Ky stadium pritet t’i ketë rreth 13 mijë e 600 ulëse dhe pritet të jetë i kategorisë se katërt.

Punimet në stadiumin e qytetit të Gjakovës kishin nisur më 21 maj të vitit 2020.