Sot publikohet buceta fituese e shtatores së Fadil Vokrrit

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, do të prezantojnë sot bucetën fituese të shtatores së Fadil Vokrrit.

Ceremonia e publikimit të bucetës fituese të shtatores së ish-kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit, do të mbahet në ora 13:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prezantimi i kësaj bucete do të bëhet me rastin e dyvjetorit të vdekjes së ikonës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se me rastin e dyvjetorit të ndarjes nga jeta të Fadil Vokrrit, në nderim të figurës së tij, ministrja Vlora Dumoshi sot në ora 9:00 do të vendosë kurorë me lule te varri i legjendës së futbollit të Kosovës.

“Ndërkaq, në ora 13:00, në stadiumin e kryeqytetit “Fadil Vokrri” do të publikohet buceta fituese e shtatores së Fadil Vokrrit, të cilin do ta shpalosin Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.