Sot pritet të mblidhet Këshilli për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në Sport

Sot gjatë ditës do të mbahet mbledhja e këshillit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në Sport.

Kjo mbledhje do të mbahet pas zhvillimit të ngjarjeve të fundit, ku boksierët kosovar nuk u lejuan që të marrin pjesë në një turne boksi në shtetin e Serbisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Besim Kelmendin, kryetari i këshillit i cili tha se mbledhja do të nis në ora 16:30.

‘’Po sot Këshilli për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në sport do të mbajë një mbledhje në fillim prej orës 16:30. Perveç anëtarëve të këshillit pjesë e këtij takimi pritet të jenë edhe përfaques të disa federatave si dhe sipas mundësive pritet të marrë pjesë edhe vetë ministri dhe zëvendësja e tij’’, ka thënë Kelmendi.

Ai po ashtu ka treguar edhe pikat kryesore që pritet të diskutohen në këtë mbledhje.

‘’Kemi disa pika, por njëra ndër pikat kryesore do të jenë edhe aktivitete ilegale në sport, ku përfshihen të gjitha ngjarjet sportive nga individë ose grupe që nuk janë anëtarë të federatave legale në Kosovë’’, tha kryetari i Këshillit Kombëtar për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në Sport.

Dje gjatë ditës vetë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte palajmëruar ndalimin e aktiviteteve sportive paralele të komunitetit serb në Kosovë.