'Skysport': S'mund të jenë 119 kombëtare më të mira se Kosova

Pas ndeshjes mes Anglisë dhe Kosovës në stadiumin St. Mary në Southampton, Kaveh Solhekol dhe Rob Dorsett të ‘Skysport’ kanë analizuar pikat e forta dhe të dobëta në performancën e Anglisë kundër Kosovës.

Një pjesë të analizës së tyre, Solhekol dhe Dorsett ia kanë kushtuar edhe Kosovës duke e quajtur një kombëtare në rritje.

Aktualisht Kosova radhitet e 120-ta në ranglistën e FIFA-s.

Më poshtë mund të lexoni një pjesë të analizës së tyre për Kosovën:

Çfarë ka që të mos pëlqeni te ekipi kosovar dhe menaxheri i tyre? Ata janë si vëllezërit që luajnë për fanellën dhe flamurin e vendit të tyre të ri.

Ata luajnë futboll ofensiv dhe punojnë pa u lodhur kur nuk e kanë topin në dispozicion. Mos dorëzimi i tyre bëri tifozët anglezë nervozë në 10 minutat e fundit edhe pse ishin duke udhëhequr 5 me 3.

Të ulesh pas stolit të Kosovës në St Mary’s ishte si të jesh në një ndeshje në vitet 1980. Lojtarët rezervë dhe stafi i tyre e kaloi pjesën më të madhe të lojës në këmbë duke dhënë instruksione dhe duke festuar sa herë që shënonte Kosova.

Vetëm 24 orë më parë, të gjithë diskutonim se si kualifikueset ishin bërë të mërzitshme dhe rutinë për Anglinë. Dikush padyshim harroi t’i tregonte Kosovës.

Ata mund të renditen në vendin e 120-të në botë nga FIFA, por nuk ka asnjë mënyrë që të ketë 119 kombëtare më të mira se ajo.