Majlinda Kelmendi

Skulptura e Majlinda Kelmendit gati, s’ka hapësirë për ta vendosur

Trajneri i mirënjohur i xhudos, Driton Toni Kuka përmes një njoftimi në Facebook ka treguar se është përgatitur skulptura e xhudistes Majlina Kelmendi, shqiptarja e vetme me medalje të artë olimpike.

Mirëpo, Kuka thotë se ka një problem, pasi që ende nuk është gjetur asnjë vend për ta vendosur skulpturën.

As Ministria e Sportit e as Komuna e Prishtinës nuk i janë përgjigjur kërkesës së Kukës për hapësirën në kryeqytet ku mund të vendoset kjo skulpturë.

“Kërkesa e jonë nëpërmes Ministrisë drejtuar Komunës së Prishtinës qysh në muajt e verës deri sot ka mbet pa përgjigje! E kemi menduar Statujën të ngritët në kryeqytet si Kampionia e parë dhe e vetme Olimpike por kot! Kryetari i Prishtinës asnjë info për këtë çështje…”, ka shkruar trajneri Driton Kuka.

Kuka e ka shpërndarë edhe njoftimin nga artistët që e ka punuar skulpturën, ku i kërkojnë Kukës që t’i jap një adresë se ku mund ta dërgojnë punimin.

Majlina Kelmendi është xhudiste kosovare e cila ka fituar me dhjetëra medalje ndërkombëtare në këtë sport.

Në lojërat olimpike të 2016, në pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat olimpike, Kelmendi ishte stolisur me medalje të artë.