Si ndodhi që ‘bishti’ i Lionel Messit ta rishpërfaqë racizmin e mediave perëndimore?

Manteli arab i njohur si “bisht’, ishte një shenjë respekti për Messin pas fitores së tij në Kupën e Botës. Mirëpo, redaksitë injorante nuk do ta kuptojnë asnjëherë këtë.

Të dielën që lamë pas, miliarda njerëz ishin të përqëndruar sy e veshë në stadiumin Lusail në Katar, teksa Argjentina u kurorëzua kampione e Kupës së Botës pas një finaleje të shkëlqyeshme kundër Francës.

Megjithatë, në vend që të fokusoheshin te madhështia e futbollit që bota sapo kishte parë, mediat perëndimore zgjodhën të fiksoheshin në atë se si Emiri i Katarit e veshi Lionel Messin, kapitenin argjentinas, me mantelin, petkun tradicional arab të njohur si “bisht“.

Reagimet nga disa ekspertë dhe gazetarë e kanë pasqyruar të njëjtin racizëm dhe islamofobi që ka qenë e përhapur gjatë gjithë turneut dhe në vitet para tij. Por ata gjithashtu e vënë në pah mungesën e diversitetit që kap shumicën e redaksive perëndimore – gjë që e kufizon aftësinë e tyre për ta kuptuar pjesën më të madhe të botës përtej stereotipeve thellë të ngulitura.

“Akti bizar që e shkatërroi momentin më të madh në historinë e Kupës së Botës”, tani i redaktuar, ishte titulli i një gazete britanike, The Telegraph. “Absolutisht zymtë” shprehej titulli në Fox Sports dhe “I turpshëm” shprehej titulli tjetër nga “Yahoo Sports”.

Të tjerë zgjodhën deklarata qartësisht raciste, me Mark Ogden, gazetar i ESPN që shprehej në këtë mënyrë: “Të gjitha fotot janë shkatërruar nga dikush që e bën atë të veshë një pelerinë që duket sikur do t’i presë flokët”. Në mënyrë të ngjashme, Dan Walker, prezantues i televizionit të futbollit shkroi, në një postim të fshirë tanimë, “Vë bast se Mbappe është i kënaqur që arriti ta devijojë mantelin e çuditshëm rrjetë me stoli ari”, duke sugjeruar se humbja e një finaleje të Kupës së Botës do të ishte më me vend.

“Bisht’, i njohur gjithashtu si aba ose abaya në vendet e tjera arabe, është një veshje simbolike që ndërlidhet me prestigjin, nderin dhe shtatin. Është një e veshur në raste të veçanta dhe vetëm nga figura të larta fetare, dhe udhëheqës politikë ose fisnor, të cilët përfaqësojnë sukses të jashtëzakonshëm.

Nderimi që bëhet duke e veshur një ‘bisht’, veçanërisht nëse ajo mbulohet nga një person prestigjioz – e lëre më nga udhëheqësi i Katarit – është një privilegj i rrallë, një kalorës apo kurorëzim në shumë mënyra. Të dielën, ajo veçse ia shtoi madhështinë asaj nate të madhe dhe ishte në njohje të asaj që Messi e ka arritur.

Ky Botëror nuk e përfaqësonte vetëm fitoren e Argjentinës. Ai gjithashtu vulosi statusin e Messit në sytë e shumë njerëzve si “GOAT” (më i madhi i të gjitha kohërave) i futbollit – më i madhi jo vetëm krahasuar me bashkëmoshatarin e tij Cristiano Ronaldo, por ndoshta edhe me ish-ikonat më të mëdha të lojës së futbollit, të tillë si Pele dhe Diego Maradona. Ai tani ka fituar çdo trofe të shquar që sporti ka për të ofruar, duke përfshirë shtatë tituj të Topit të Artë – që i jepen lojtarit më të mirë çdo vit.

Tani, e kuptoj se që nga fëmijëria ka qenë ëndrra e Messit të luajë për Argjentinën. Një pjesë e kësaj ëndrre ka të ngjarë ta përfshijë shpresën për ta ngritur një ditë trofeun e artë të Kupës së Botës me një fanellë të Argjentinës sikurse kishte bërë Maradona para tij. Është e arsyeshme ta pyesim veten nëse dëshirat e Messit u tejkaluan nga ngjarjet në skenë. Mirëpo, zemërimi i mediave perëndimore nuk ka të bëjë me ëndrrën e Messit. Bëhet fjalë për një mungesë vullneti, të zhytur në racizëm dhe orientalizëm, për të pranuar se futbolli dhe festimet mund të duken ndryshe në pjesë të ndryshme të botës.

Messi në asnjë moment nuk u duk se tregoi përbuzje për ‘bishtin’. As fanella e tij me numrin 10 të Argjentinës – një fanellë kaq ikonike sa u shit globalisht përpara finales – nuk u mbulua përtej njohjes.

Nuk është e pazakontë që atletëve fitues t’u jepen dhurata ose veshje që i pasqyrojnë kulturat lokale. Shembulli më i përshtatshëm është fitorja e Peles në Kupën e Botës 1970 në Meksikë, ku një sombrero iu vendos në kokë. A ishte “rrëmbyer” momenti i Peles, siç pretendonte ‘7 News Australian’ se ndodhi në rastin e Messit?

Në të vërtetë, që nga dita kur Katarit iu dha e drejta për të qenë nikoqir i Kupës së Botës, mediat perëndimore e kanë shpërfaqur “tronditjen” e tyre. Kundërshtimet eurocentrike dhe hipokrite vazhduan në ngritjen e turneut epokal dhe vazhduan përmes tij. Zemërimi për ‘bishtin’ e Messit ishte shpërfaqja e fundit e injorancës.

Suksesi i ekipit kombëtar maroken në Kupën e Botës ishte përfaqësues i krenarisë për shumë arabë dhe afrikanë në mbarë botën. Për mua, si një arab irakian, ishte vërtet frymëzuese ta shihja triumfin e një kombi tjetër arab dhe t’i dëshmoja festimet e tyre kulturore të ngjashme. Por, ashtu sikurse me ‘bishtin’, media perëndimore shfaqi edhe një herë injorancën anti-arabe pas serisë së fitoreve tronditëse të Marokut.

Pasi ata përfundimisht u përkulën para Francës në gjysmëfinale, ESPN postoi një fotografi të lojtarëve marokenë në sexhde, një simbol i përulësisë ndaj Zotit për miliarda muslimanë në mbarë botën. Mirëpo mbishkrimi aty thoshte: “Lojtarët dhe stafi marokenë përkulen në shenjë vlerësimi ndaj mbështetësve të tyre që ishin aty prezent aq masivisht”.

Gazeta gjermane, Welt, i krahasoi lojtarët marokenë që festonin duke e drejtuar njërin gisht drejt qiellit me luftëtarët e ISIS-it. Asnjë burim perëndimor nuk bën paralele të tilla për Messin kur ai feston duke drejtuar gishtat drejt qiellit pasi shënon gola. Pamjet e përzemërta të lojtarëve marokenë që festojnë me nënat e tyre, një pasqyrim i rëndësisë së familjes në kulturat afrikane dhe arabe, u bënë temë talljeje nga një kanal televiziv danez: Marokenët u krahasuan me një familje majmunësh.

Megjithatë, një racizëm i tillë, injoranca dhe paaftësia e plotë në gazetari nuk janë krejtësisht befasuese duke pasur parasysh mungesën e përfaqësimit në shumicën e redaksive perëndimore. Në Shtetet e Bashkuara, 40 për qind e popullsisë nuk është e bardhë. Megjithatë, një studim i Institutit Reuters të vitit 2020 zbuloi se gati 90 përqind e redaktorëve kryesorë janë të bardhë. Përmirësimi i diversitetit në nivelet e larta në redaksitë do t’i ndihmojë mediat perëndimore të ndërtojnë masa mbrojtëse kundër shfaqjeve të injorancës – megjithëse kjo do t’u duhej këtyre organizatave ta pranonin dështimin e tyre në çmontimin e pengesave ndaj rritjes për gazetarët jo të bardhë.

Në botën arabe, disa e quajnë me entuziazëm kapitenin argjentinas të veshur me ‘bisht’ si “Sheikh Messi”. Edhe kjo është një pasqyrim i dashurisë që ai gëzon. Le të mos e njollosim fitoren e lavdishme të tij – dhe të Argjentinës – me një zemëratë raciste mbi një gjest admirimi dhe respekti/Al Jazeera

Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të vetë autorit dhe nuk e pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Al Jazeera.

Përgatiti: Nuhi Shala