Shtyhet miqësorja vëllazërore Shqipëri – Kosovë

Ndeshja vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, e paraparë të zhvillohet më 28 nëntor në Shkodër është shtyrë për një datë tjetër, që do të caktohet më vonë, njofton Federata e Basketbollit e Kosovës, për shkak të tërmetit që ka ndodhur dje në Shqipëri.

FBK ka shkruar se përkundër dëshirës për të shënuar ditën e Pavarësisë së shqiptarëve, tani nuk mundet të zhvillohet.
“Përkundër dëshirës së madhe për të shënuar ditën e Pavarësisë së shqiptarëve me një ndeshje vëllazërore, takimi nuk mund të zhvillohet, derisa Shqipëria është prekur nga një tërmet i fuqishëm, ku ka dhjetëra viktima dhe qindra të lënduar”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Po ashtu FBK-ja, shkruan se ofrojnë ndihmë për Shqipërinë për çfarëdo që kanë nevojë.

“Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ofron ndihmën e saj për vëllezërit tanë në Shqipëri për çfarëdo që kanë nevojë. FBK-ja shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë”, thuhet në njoftimin e FBK-së.