Shenjëtari, Drilon Ibrahimi do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se ka pranuar ftesën e Komisionit tre-palësh për shenjëtarin, Drilon Ibrahimin i cili do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Me pjesëmarrjen e Drilon Ibrahimit në Lojërat Olimpike, ka shkuar numri në 10 sportist që do të marrin pjesë në “Tokio 2020”.

“Komisioni Tre Palësh (Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, Asociacioni i Komiteteve Olimpike Kombëtare, Asociacioni i Federatave Ndërkombëtare të Sporteve Verore) në bashkëpunim me Federatën Ndërkombëtare të Shenjëtarisë, se sportistit Drilon Ibrahimi i është ofruar një vend me ftesë”, thuhet në konfirmimin e këtij komisioni dërguar KOK-ut.

Ibrahimi, bursist olimpik i KOK-ut, ishte përfshirë në listën prej gjashtë sportistëve të propozuar nga KOK-u për Komisionin Tre Palësh.

Shenjëtari nga Vitia kishte fituar MQS-në, që në sportin e shenjëtarisë njihet si “pikët minimale kualifikuese për Lojërat Olimpike”.

Deri më tani, KOK-u ka gjashtë norma olimpike, pesë nga sporti i xhudos dhe një nga mundja, ndërsa tri ftesa të univerzalitetit janë caktuar për notin (2) dhe atletikën.

Shpresa për të fituar normën olimpike kanë edhe sportet e karatesë dhe boksit.

Lojërat e shtyra Olimpike Tokio 2020 mbahen prej 23 korrik – 8 gusht 2021 në Tokio të Japonisë.