SC Gjilani: Zyrtarët policorë përdorën sprej për të mbrojtur gjyqtarët

Pas përfundimit të ndeshjes Gjilani – Prishtina, të cilët e fituan vendasit me rezultat 2-1, trajneri, lojtarët dhe zyrtarë të klubit të Prishtinës, shkuan në drejtim të gjyqtarëve për të kërkuar llogari për ndarjen e drejtësisë gjatë lojës.

Policia e Kosovës, kishte përdorur sprej ndaj trajnerit, lojtarëve dhe zyrtarëve të klubit të Prishtinës.

Klubi i futbollit, SC Gjilani ka lëshuar një reagim në lidhje me ngjarjet që ndodhën të mërkurën aps përfundimit të ndeshjes.

Në komunikatën e lëshuar nga klubi gjilanas thuhet se futbollistët dhe zyrtarët e klubit nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë moment në këtë incident.

Gjilani shkruan se Policia e Kosovës kishte përdorur sprej për t’i mbrojtur gjyqtarët e ndeshjes.

“Gjatë zhvillimit të ndeshjes ka pasur reagime të vazhdueshme nga banka e KF Prishtinës ndaj vendimeve të arbitrave të ndeshjes. Sidoqoftë ndeshja ka qenë e karakterizuar me lojë të fortë nga të dy ekipet. Me të përfunduar ndeshja, shumë lojtarë dhe anëtarë të stafit teknik janë vërsulur në drejtim të gjyqtarëve të cilët ishin marrë në mbrojte nga zyrtarët policorë të Njësisë Speciale ( të angazhuar nga FFK). Zyrtarët Policor kanë përdorur sprejin për të ndaluar sulmin ndaj gjyqtarëve.
Asnjë zyrtar apo lojtar i SC Gjilanit nuk ka qenë i përfshirë në këto incidente dhe ne si klub nuk mbajmë asnjë përgjegjësi për ngjarjet e ndodhura me këtë rast. Gjithashtu vlen të theksohet se edhe zhveshtoret janë dëmtuar pas ndeshjes. Zyrtarët e SC Gjilanit kanë ndërmarrë të gjitha veprimet për qetësimin e situatës. Ky incident në asnjë mënyrë nuk është incident në mes të SC Gjilanit dhe KF Prishtinës. Në fund kur zyrtarët dhe lojtarët e KF Prishtinës janë nisur nga Stadiumi “Agim Ramadani-Katana”, ka ndodhur edhe një incident ku sipas informatave nga Policia e Kosovës, një zyrtarë i KF Dritës ka tentuar të sulmoj një zyrtarë të KF Prishtinës. Kjo ka ndodhur jashtë stadiumit. SC Gjilani i fton organet e FFK-së dhe organet tjera shtetërore që këtë ngjarje ta zbardhin deri në fund dhe akterët të marrin dënimet e merituara. Duam të theksojmë se ngjarjet në fund të takimit nuk e zbehin fitoren tone”, shkruhet në reagim të Gjilanit.

Kurse, Këshillimi Profesional i Gjyqtarëve gjatë ditës së sotme ka kërkuar nga klubet që t’i shmangin deklaratat kërcënuese ndaj gjyqtarëve dhe ka kërkuar nga gjyqtarët që të jenë më vigjilent gjatë ndeshjeve.