Samir Ujkani: Ndeshja ndaj Çekisë është një finale për neve

Kombëtarja e Kosovës sot e ka zhvilluar seancën e parë stërvitore para ndeshjes ndaj Republikës së  Çekisë që do ta luaj të enjten prej orës 20:45, në stadiumin “Doosan Arena” në Plezen.

Pas stërvitjes ka folur portieri i Kosovës, Samir Ujkani.

Ujkani ka thënë se ndeshja e së enjtes ndaj çekve është si finale për Kosovën.

“Ne po shohim ndeshjen e së enjtes, që është një finale për ne. Atje duhet patjetër të japim maksimumin dhe të marrim rezultat maksimal. Duhet të marrim pikët për ta bërë ëndrrën realitet, ky është qëllimi ynë. E dimë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Kemi fatin që në muajin mars të kemi edhe një rast tjetër për t’u kualifikuar, por ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e së enjtes, për të marrë rezultatin që na vlen”, ka thënë Ujkani.

Ujkani ka thënë se në këtë ndeshje presioni bie mbi Çekinë, pasi ata luajnë si vendas.

“Stresin e kanë çekët, sepse luajnë në shtëpinë e tyre. U vlejnë ndoshta të dy rezultat, fitorja dhe barazimi, por ne duhet të bëjmë atë që do të na thotë trajneri, duke vijuar me këtë ritëm dhe me pozitivitetin që kemi brenda grupit. Tani se çfarë do të ndodhë në fushë do ta shohim, ka pjesë edhe fati. Ndërsa se çfarë mund të ndodhë jashtë fushës, nuk mund ta mendojmë. Nuk duhet të harxhojmë energji në këtë pikë”, ka shtuar Ujkani.