Sallah Sherifi i kënaqur me fitoren ndaj Prishtinës

Gjilani e ka fituar derbin e xhiros së tetë në Superligë, ndaj Prishtinës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kryeqytet me rezultat 0-2.

Gjilani në këtë ndeshje u drejtua nga drejtori sportiv, Sallah Sherifi, pasi trajneri Gentian Mezani është duke munguar në dy ndeshjet e fundit për probleme familjare.

Sherifi është ndarë i kënaqur me fitoren ndaj Prishtinës.

“Dhamë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Gjithë futbollistët treguan përkushtim maksimal nga minuta e parë dhe jam shumë i kënaqur me atë se çfarë kanë shfaqur, duke i përgëzuar për karakterin dhe disiplinën e shfaqur”, ka thënë fillimisht Sherifi pas ndeshjes.

Ai ka treguar se kjo fitore i dedikohet tifozit të tyre Engjull Smërqakut, i cili ishte therr me thikë para disa ditëve, i cili ishte pjesë e tifozërisë së “Skifterave”.

“Kjo fitore i dedikohet familjes së Smërqakut që humbën anëtarin më të dashur të familjes së tyre Engjullin dhe po ashtu tifozërisë “Skifterat” të cilët e humbën anëtarin e tyre”, ka treguar Sherifi.

Sallah Sherifi ka treguar se Mezani do të kthehet te Gjilani së shpejti.

“Kryetrajneri Mezani do të rikthehet së shpejti, pasi që ka disa probleme familjare për t’i rregulluar. Ne e presim atë për t’u rikthyer”, përfundoi drejtori sportiv i Gjilanit.

Gjilani e mposht Prishtinën në “Fadil Vokrri”