Rruga plot lavd e kombëtares së Kosovës në garën për kampionatin europian

Kombëtarja e Kosovës në futboll ka marrë pjesë për herë të parë në garën e kualifikimit për një kampionat europian.

‘Dardanët’ ishin caktuar në Grupin A së bashku me Anglinë, Republikën Çeke, Bullgarinë dhe Malin e Zi.

Po të zinte në fund të garës njërën nga dy pozitat e para në grup, Kosova do të kualifikohej në Europianin 2020.

Sigurisht, kjo ishte një punë e vështirë për kombëtaren më të re të pranuar në botën e futbollit.

Dhe, këtë e dinte edhe trajneri i Kosovës, zvicerani Bernard Challandes.

Pasi e përmbylli fazën e grupeve në Ligën e Kombeve në mënyrë perfektë, duke e mposhtur Azerbajxhanin në ndeshjen e fundit me rezultat 4-0,  dhe duke përfunduar në vendin e parë në Grupin 3, Kosova e kishte rendin që ta niste një etapë të re, atë të kualifikimeve për “Euro 2020”.

Sfida e parë ishte më 25 mars të vitit 2019, ndaj Bullgarisë, e cila u zhvilluar në stadiumin që mban emrin e ikonës së futbollit të Kosovës – Fadil Vokrrit, në Prishtinë.

Kjo ndeshje përfundoi me rezultatin 1-1. Bile gjatë pjesës së parë ‘dardanët” ishin në disavantazh, por falë formës së mirë të Arbër Zenelit, e barazuan rezultatin në minutën e 61’.

Pas ndeshjes edhe trajneri i Bullgarisë, Peter Hubchev, e kishte pranuar qe ishin me fat në këtë ndeshje, pasi Kosova kishte luajtur më mirë.

“Po, mund të themi që kemi pasur fat. Ka qenë një ndeshje taktike mes dy trajnerëve. Po ishim me fat sonte”, kishte  deklaruar pas ndeshjes Houbchev.

Kosova ndeshjen e dytë e luajti si mysafire e Malit të Zi, në Podgoricë, më 7 qershor.

Edhe kjo ndeshje përfundoi me barazim, por kjo ndeshje përveç barazimit kishte edhe kuptim tjetër, pasi njëri prej lojtarëve më të mirë të Kosovës – Arbër Zeneli u lëndua.

Zeneli u zëvendësua në minutën e 39’. Kjo ishte ndeshja e fundit e Arbrit për Kosovën, pasi lëndimi do ta lërë jashtë fushës së gjelbër deri në janarin e vitit 2020.

Fitoren e parë në kualifikimet e “Euro 2020”, Kosova e shënoi më 10 qershor në Sofje, ndaj Bullgarisë, në një ndeshje me plot emocione, me rezultatin 3-2.

Këtë fitore “dardanët” e arritën në minutat shtesë me sulmuesin Elbasan Rashani.

Pas fitores ndaj Bullgarisë, Kosova e priste në Prishtinë Republikën Çeke, kundërshtarin direkt për vendin e dytë.

Këtë ndeshje nuk e nisën mirë, pasi mysafirët i kaloi në epërsi Schick në minutën e 16’.

Por, sulmuesi Vedat Muriqi, nuk i la të gëzohen shumë çekët pasi në minutën e 20’ e barazoi rezultatin.

Fitoren e madhe Kosovës ndaj Çekisë ia siguroi Mërgim Vojvoda pas një pasimi maestral nga Valon Berisha.

Foto: KALLXO.com

Pas kësaj fitoreje, Kosova udhëtonte drejt Southamptonit, ku do të përballej me Anglinë.

Kosova ndeshjen ndaj Anglisë e nisi në mënyrë speciale, duke kaluar në epërsi me Valon Berishën, që në minutën e parë, por pastaj anglezët i shënuan pesë gola brenda pjesës së parë.

Në pjesën e dytë djelmoshat e Bernard Challandes luajtën mirë dhe i shënuan edhe gy gola me Berishën e Muriqin.

Pra, një humbje krenare ndaj Anglisë me rezultat 5-3.

Djelmoshat e udhëhequr nga Challandes, e harruan shpejt humbjen nga Anglia, dhe u rikthyen te fitorja ndaj Malit të Zi më 14 tetor me rezultat 2-0, golashënues ishin Amir Rrahmani dhe i zakonshmi Vedat Muriqi.

Ndeshja më rëndësishme e Kosovës ishte ajo ndaj Republikës së Çekisë, në Plzen, më 14 nëntor. Pas humbjes 2-1, Kosova u eliminua për kualifikimet  përmes grupeve për kampionatin “Euro 2020”.

Kjo humbje pothuajse ia ndërpreu në gjysmë ëndrrën për kualifikim Kosovës.

Ndeshjen e fundit Kosova e luajti të dielën me 17 nëntor, ndaj Anglisë, të cilën e humbi me rezultat 4-0.

Ndeshja ndaj Anglisë ishte e veçantë pasi “dardanët” organizuan një kampanjë të paparë mikpritjeje për kombëtaren e Anglisë.

Kjo mikpritje nuk kaloi pa u vënë re nga mediat ndërkombëtare, të cilat e përgëzuan Kosovën për këtë gjë.

Kosova i mbylli kualifikimet e para për një kampionat europian, në vendin e tretë me tri fitore, dy barazime dhe tri humbje.

Me 13 gola të shënuar dhe 16 të pranuar.

Ëndrra e Kosovës për të luajtur në Europianin 2020 ende nuk ka mbaruar.

“Dardanët” do ta kenë mundësinë që të luajnë në Euro 2020 , nëse në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, në mars të vitit 2020, e mposhtin Maqedoninë e Veriut dhe në finale do të përballet me njërin prej fituesve të ndeshjes Bjellorusi – Gjeorgji.

“Dardanët” duhet të triumfojnë edhe në finale për të qenë pjesë e 32 kombëtareve më të mira në Europianin 2020.