Kombëtarja e Kosovës në futboll - Foto: FFK

Rreth 50 pretendentë për të marrë pozitën e trajnerit të Kosovës

Rreth 50 kandidatë kanë aplikuar për të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës në futboll.

Lajmi është bërë i ditur nga ana e zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në një prononcim për KALLXO.com nga FFK-ja kanë thënë se janë rreth 50 kandidatë që kanë dërguar aplikacionet e tyre për të marrë postin e trajnerit të Kombëtares së Kosovës.

“Ka shumë kandidatë, rreth 50 është numri i kandidatëve që kanë shprehur dëshirën për të marrë drejtimin e Kombëtares së Kosovës”, thonë nga FFK-ja.

Po ashtu, nga FFK-ja thonë që brenda këtij muaji ky numër filtrohet duke përgatitur një listë me pesë pretendentët kryesorë për pozitën e trajnerit.

“Besoj që brenda këtë muaji do të vijmë deri te një numër më i vogël, besoj në pesë kandidatë”, thonë nga FFK-ja.

Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës thonë për KALLXO.com se nuk ka ndonjë emër konkret.

“Jo, nuk ka ndonjë emër konkret, emri i trajnerit do të zbulohet para ndeshjeve miqësore të muajit mars” thonë për KALLXO.com nga FFK-ja.

Kujtojmë që Kosovën në ndeshjet e fundit e ka drejtuar trajneri i përkohshëm Primozh Gliha, i cili e ka zëvendësuar të shkarkuarin Bernard Challandes.

Më 13 tetor është shkarkuar Bernard Challandes nga pozita e trajnerit të Kosovës pas një serie të dobët në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.