Rrëfimi i përdoruesit të steroideve

Sipas mjekëve, përdorimi pa kriter i ilaçeve sikur steroidet shkakton probleme të mëdha në shëndet.

Rinas Zeqiri nga Gjilani pranon të rrëfejë në emisionin “Kallxo Përnime” se ka arritur të blejë dhe t’i sigurojë barnat e ndaluara.

“Kam fillu me i marrë në fitnes, i kam blerë nëpër vende online, si fillim kam lexuar për to, i kam studiu, i kam lexuar gjatë derisa kam vendosur, por gjithmonë në dozë të saktë edhe duke mos i abuzu. Steroidet zakonisht i kena ble online edhe këta që shesin, zakonisht marketet ose protein-shopat kanë, por i mbajnë në të zezë, i mbajnë fshehur se janë produkte ilegale që nuk guxojnë me u shitë pa përshkrimin e mjekut”, tregon Rinas Zeqiri.

Ai tregon se cili ka qenë ndikimi i parë pas fillimit të marrjes së steroideve.

“Ndikimi i parë ka qenë rritja e forcës, edhe kam fillu me shtu peshë, sidomos herën e parë kur i kam marrë, domethënë receptorët e trupit e kanë marrë diçka të re edhe brenda muajit kam shtu forcë 100 %, domethënë nëse kam qenë 60 kilogramë ose 50 kilogramë duke ushtru me pesha, brenda muajit kam mbërri deri në 100 kilogramë. Arsyeja, sepse steroidet e rregullojnë sintezën e proteinës në trup, trupi është në gjendje me absorbu proteina më shumë se në gjendje normale”, thotë ai.

Zeqiri nuk ia sugjeron askujt që t’i përdorë steroidet.

Sipas tij mënyra më e mirë për të ushtruar në fitnes është metoda natyrale.

“Unë si trajner i fitnesit asnjëherë, asnjë klienti që e ka fitnesin hobi, që ka dëshirë vetëm me heqë peshën apo vjen vetëm me e mbajtë vijën e trupit kurrë nuk i kam rekomandu steroide, gjithmonë e kam favorizu metodën natyrale”, thotë ai.

Në emisionin e sontëm po transmetohet hulumtimi për rreziqet me të cilat mund të përballen personat që përdorin steroide.