Rrëfimi i futbollistëve kosovarë për Ukrainën, karrierën dhe miqtë ukrainas
Nisja e pushtimit të Ukrainës nga Rusia ka hyrë në ditën e tetë dhe pothuajse vëmendja e gjithë botës është atje.
Vrasje, bombardime, refugjatë, armë e kolona ushtarake janë pamjet që po e shoqërojnë përditshmërinë e njerëzve nga Kosova dhe jo vetëm.
Ngjarjet në Ukrainë kanë kthyer kujtesën e shoqërisë kosovare kur para më shumë se dy dekadave përballeshin me një situatë të tillë lufte.
Por, në Kosovë ka njerëz që i përjetojnë më ndryshe zhvillimet në Ukrainë, për shkak të kujtimeve e rrëfimeve personale që i kanë me Ukrainën.
Jo për shkak të mungesës së talentit, por për shkak të mungesës së kushteve, janë të paktë futbollistët nga Kosova që në të kaluarën kanë pasur karrierë ndërkombëtare në këtë sport.
Ndërsa, futbolli ukrainas ka qenë një nga vendet që gjatë historisë jo shumë të vjetër, ka pasë futbollistë nga Kosova.
Sot, me profesionin e trajnerit në Kosovë, Ismet Munishi e Debatik Curri, që kanë kaluar momentet më të mira të karrierave të tyre në futbollin ukrainas kanë rrëfyer për KALLXO.com ndjenjat e tyre ndaj pamjeve të trishta që po vijnë çdo ditë nga Ukraina.
Ismet Munishi, tani trajner i Gjilanit ka luajtur për 1 vit e gjysmë tek skuadra ukrainase Vorslka.
Përvojën e tij në Ukrainë, Munishi e vlerëson jashtëzakonisht shumë.
“Kemi qenë 3 futbollistë shqiptarë në klubin Vorskla. Kam qenë unë, Debatik Curri dhe Alban Dragusha. Jemi trajtuar shumë mirë, si në klub, si në qytet nga njerëzit e po ashtu edhe nga fansat”, rrëfen Munishi për KALLXO.com.
FC Vorskla Poltava është klub nga qyteti Poltava, që gjendet pothuajse në qendër të Ukrainës.
Vitet më të mira në karrierën e tij si futbollist, Debatik Curri i ka kaluar në Ukrainë. Ai kishte qenë pjesë e kampionatit ukrainas për 6 vite.
“Unë kam qenë për 6 vjet në Ukrainë dhe kam kaluar shumë mirë, njerëzit atje na kanë pritur shumë mirë dhe po ashtu atje kanë qenë 6 vjet më të mirë të karrierës sime”, nis rrëfimin, ish-futbollisti i kombëtares së Shqipërisë.
Curri thotë se ai ka qenë futbollisti i parë shqitpar që ka qenë pjesë e futbollit ukrainas.
“Unë kam qenë futbollisti i parë shqiptar që kam shkuar në Ukrainë në vitin 2005, normalisht ka qenë e vështirë, njerëzit atje janë shumë të qetë dhe të respektueshëm. Unë që kam kaluar shumë mirë”, thotë Curri, para se të tregonte përvojën e tij të fundit në Ukrainë, apra se të largohej.
Curri ishte larguar nga FC Vorskla Poltava pas 5 viteve e gjysmë. Ai kishte nënshkruar kontratë me klubin tjetër ukrainas, FC Sevastopol.
Mirëpo, karriera e tij në Sevastpol kishte përfunduar shpejt. Kjo për shkak se në kohën kur Curri ishte bërë pjesë e këtij klubi, kishin nisur konfliktet në qytetin e Sevastopol mes Rusisë e Ukrainës.
“Atje kam pasur vetëm momente të mirë, sa kam luajtur për Vorskla për 5 vite e gjysmë dhe kam pasur shumë suksese. Ndërsa momentet më të këqija kanë qenë kur kam shkuar në FC Sevastopol. Në atë kohë, një pjesë e Sevastopol, nisi te merrej nga Rusia. Në atë moment unë e kam ndërprerë bashkëpunimin dhe jam kthyer në Kosovë”, rrëfen Curri.
Ndonëse ka shumë vite që është kthyer nga Ukraina, Curri vazhdon të mbajë kontakte me miqtë e tij atje.
Curri tregon se pas zhvillimeve të fundit në Ukrainë, ai ka biseduar me disa prej tyre dhe i ka ftuar të vijnë e të bëhet pjesë e futbollit kosovar.
“Unë kam shumë shokë atje dhe kam kontaktuar më shumë prej tyre. I kam ftu me ardhë në Kosovë. Gjithashtu ftoj edhe futbollistët tjerë që të vijnë dhe ta vazhdojnë karrierën në Kosovë”, thotë Curri gjatë bisedës.
Duke komentuar situatën aktuale atje dhe sanksionet nga shtëpitë e futbollit, UEFA e FIFA për Rusinë, edhe Munishi edhe Curri i shohin si të duhura.
“Vendimi për përjashtim të Rusisë nga instancat më të larta sportive është shumë i drejtë. Ata po dëshirojnë luftë le të vazhdojë, sporti dhe lufta nuk shkojnë bashkë. Deri sa të kenë këtë politikë, uroj që kurrë të mos pranohen”, thotë Munishi.
“Mendoj që ishte një vendim mjaft i drejtë nga UEFA dhe FIFA, nuk është e mundur me lujtë me një vend i cili e sulmon një shtet tjetër”, thotë Curri.
Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo ishte bërë problem kur në vitin 2017, Kosova do duhej të udhëtonte për në Ukrainë për t’u përballur për kualifikimet për Kampionatin Botëror, Rusia 2018. Ukraina nuk kishte pranuar ekipin kombëtar të Kosovës në territor të saj dhe ndeshja ishte luajtur në Krakow të Polonisë. Ndeshjen e kishin fituar ukrainasit me rezultat 3:0.
Shtete të shumta kanë vendosur sanksione të mëdha ekonomike ndaj Rusisë.
Kosova është rreshtuar me partnerët e tjerë duke vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe kompanive ruse në Kosovë.
Para disa ditësh qeveria e Kosovës njoftoi se do t’i strehojë 20 gazetarë ukrainas në Kosovë dhe do t’i mbulojë të gjitha shpenzimet për ta. Ndërsa Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten, përmes së cilës i ka ofruar mbështetje të plotë Ukrainës.