Riola Xhemaili transferohet te Freiburgu

Mesfushorja e talentuar Riola Xhemaili është bërë me skuadër të re.

18 vjeçarja nga Gjilani iu është bashkuar skuadrës gjermane Freibgurg nga skuadra e Baselit.

Skuadra e Freiburgut e ka prezantuar Xhemailin si njërin prej transferimeve më të rëndësishëm për klubin gjerman.

“Me transferimin e Riola Xhemailit, ne e kemi forcuar edhe më shumë ekipin tonë të ri të Bundesligës. Ne jemi shumë të bindur se Riola do të na ndihmojë shumë për të arritur synimet tona sportive”, ka thënë menaxherja e Freiburgut, Birgit Bauer.

Xhemaili ka pasur një sezon të mirë me skuadrën e Baselit duke i shënuar 13 gola dhe gjashtë asistime nga 28 ndeshje në Superligën e Zvicrës me Baselin.

Riola është shprehur e lumtur për transferimin e saj te skuadra e Freiburgut.

“Me padurim po e pres sfidën e re te Freiburgu. Unë dua ta dëshmoj veten te kjo skuadër dhe në futbollin e Gjermanisë. Drejtuesit e Freiburgut më bënë të ndihem shumë mirë pas interesimit që treguan për mua dhe jam shumë e lumtur që do të jem pjesë e këtij ekipi”, ka thënë Xhemaili.

Kujtojmë se Riola Xhemaili e përfaqëson Kombëtaren e Zvicres në kategorinë e vajzave.