Reagon FFK-ja: Stërvitjet e klubeve në mënyrë grupore janë joprofesionale dhe të rrezikshëme për futbollistët

Gjatë ditës së djeshme ka pasur raportime për disa klube kosovare të Superligës të cilat po stërviten në mënyrë grupore, duke i thyer rregullat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, si masë parandaluese ndaj pandemisë së coronavirusit.

Skuadrat e SC Gjilanit dhe FC Prishtinës, kanë stërvitur në mënyrë grupore, gjë e cila ka shkaktuar reagime nga klubet e tjera.

Sot ka reaguar edhe Federata e Futbollit e Kosovës.

FFK-ja thotë se është shqetësuese që klubet e Superligës i kanë thyer rregullat e institucioneve.

“FFK-ja konsideron se ky veprim i klubeve është i pamatur, joprofesional dhe i rrezikshëm për futbollistët dhe popullatën e gjerë. Edhe një herë ju bëjmë me dije se FFK-ja është duke punuar pareshtur së bashku me institucionet shëndetësore dhe autoritetet e shtetit që të gjejnë mundësitë për rifillimin e aktivitetit, me masa të shtuara mbrojtëse për shëndetin e futbollistëve dhe pjesëmarrësve tjerë në stërvitje dhe në ndeshje të futbollit”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Të pakuptimtë i vlerëson FFK-ja, veprimet e klubeve të Superligës.

“Duke pasur parasysh që ende nuk ka vendim as për datën e fillimit të stërvitjeve në grupe dhe as nëse do të vazhdojë apo jo kampionati, e vlerësojmë të pakuptimtë veprimin e disa klubeve që kanë shtyrë futbollistët që të mbajnë stërvitje ekipore”, vlerëson FFK-ja.

 

Gjilani dhe Prishtina i thyejnë rregullat e Qeverisë dhe të FFK-së, Presidenti i Dritës kërkon të dënohen këto dy klube