Reagon FFK-ja, kërkon nga FIFA e UEFA që ta ndalojë ndeshjen ‘Trepça – Crvena Zvezda

Federata e Futbollit e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë, që të organizojë ndeshje të karakterit garues në kuadër të Kupës së Serbisë në Zveçan.

Ndeshja e cila planifikohet të luhet është ajo ndërmjet “Trepçës nga Mitrovica e Veriut” dhe Crvena Zvezdës nga Beogradi.

Në bazë të shortit të tërhequr sot në Beograd, kjo ndeshje parashikohet të zhvillohet me 25 shtator në Zveçan.

FFK-ja ka kërkuar nga FIFA e UEFA, që ta parandaloj zhvillimin e kësaj ndeshje.

 

“Ftojmë FIFA-n dhe UEFA-n që të reagojnë urgjentisht dhe të mos lejojnë të shkelen statutet e tyre dhe njëherësh të parandalojnë ndonjë skenar të destabilizimit të gjendjes në veri të vendit tonë. Po ashtu kërkojmë nga institucionet e shtetit dhe organet e rendit e të sigurisë që ta trajtojnë me urgjencë këtë çështje dhe të marrin masat e duhura, në mënyrë që të mbrohet integriteti i FFK-së”, thuhet në reagimin e FFK-së.

Gjithashtu në reagim FFK-ja, thotë se është organi i vetëm legal për të organizuar gara të futbollit në Kosovë, nuk ka dhënë leje për zhvillimin e një ndeshje të tillë dhe këtë e vlerëson si provokim të rëndë nga Federata e Futbollit e Serbisë, derisa fton klubet serbe që ta pranojnë realitetin dhe të regjistrohen në FFK.

“Ne jemi të hapur për t’i përfshirë nën ombrellën tonë të gjitha klubet që veprojnë në Kosovë e që janë të regjistruara në institucionet e vendit, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Prandaj, i ftojmë klubet serbe që ta pranojnë sa më parë realitetin dhe aktivitetin e tyre ta zhvillojnë në kuadër të garave të rregullta të organizuara nga FFK. Çdo gjë tjetër është mashtrim dhe nuk i dërgon ato në rrugën e zhvillimit dhe perspektivës!”, thuhet në fund të reagimit të FFK-së.