Rashica: Nuk kemi kohë të gëzohemi, duhet të fokusohemi te ndeshja me Suedinë

Kosova bëri paraqitje të shkëlqyer në miqësoren ndaj Lituanisë duke fituar me rezultat 4-0.

Në këtë ndeshje bëri paraqitje të mirë sulmuesi Milot Rashica, i cili asistoi te goli i dytë i shënuar nga Vedat Muriqi.

Rashica ka thënë se është një motiv i madh për ta, ai ka thënë se i pret një ndeshje e vështirë ndaj Suedisë.

“Patëm raste të mira në pjesën e parë, ku kemi mundur të shënojmë dhe të kemi siguri më të madhe. As këtë herë nuk e deshi fati që të shënoj gol por me rëndësi është që ekipi fitoi. Kjo fitore është një motiv i madh, ishte një test i mirë në të cilin u angazhuam maksimalisht. Mirëpo, na pret një ndeshje e vështirë me Suedinë dhe duhet të bëjmë shumë më shumë për të arritur një rezultat të mirë ndaj tyre. Me rëndësi është që patëm një ndeshje të mirë por nuk kemi kohë që të gëzohemi pasi duhet të fokusohemi menjëherë te dueli që na pret me Suedinë”, ka deklaruar Rashica.

Kurse, mesfushori Hekuran Kryeziu, ka thënë se u ndje mirë që u kthye te Kosova pas një periudhe të gjatë.

“U ndjeva shumë mirë që u ktheva pas një kohe te Kosova pasi mungova për një periudhë të gjatë. Kjo fitore ndaj Lituanisë ishte shumë e rëndësishme pasi viti i kaluar ishte një vit i vështirë. Gjithashtu, kjo fitore na motivon për ndeshjet kualifikuese që na presin, ku jemi pjesë e një grupi shumë të fortë. Pasi e nisëm vitin me fitore të thellë, shpresoj që ky vit të jetë vit i rezultateve pozitive edhe pse grupi është shumë i vështirë. Megjithatë, nëse startojmë sikurse me këtë ndeshje, atëherë do të kemi rastin për të bërë diçka më shumë”, tha Kryeziu.